Ditën e enjte, kur askush nuk e priste, në medie qarkulloi lajmi se kryetari në detyrë i bashkisë Durrës kishte dhënë dorëheqjen, lajm që u konfirmua më pas nga vetë Varfaj, përmes letrës së dorëheqjes, ku nënvizonte faktin se po largohej në mënyrë të parevokueshme për shkaqe shëndetësore.
Dorëheqja e Varfajt erdhi disi në mënyrë të papritur, megjithëse DurrësLajm pati paralajmëruar që në fillim të marsit, se kryetari në detyrë mund të dorëhiqej, sepse do t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirugjikale dhe për këtë arsye u caktua Emirjana Sako si nënkryetare, së cilës do t’i delegohej firma, gjatë periudhës së mungesës së Varfajt.
Gjithsesi, tashmë është fakt i njohur që qysh nga e enjtja, qytetarët e Durrësit kanë një kryetare të re në detyrë. Nga gushti i 2019-ës, kur Dako dorëzoi zyrtarisht postin, durrsakët kanë parë parakalimin e 3 kryetarëve brenda një kohe shumë të shkurtër (Valbona Sako, e zgjedhur me votat e vetëm një pjese të vogël të elektoratit, që ju drejtua kutive të votimit në zgjedhjet aq shumë të kontestuara të 30 qershorit. Sako qëndroi në detyrë deri në fund të nëntorit, kur dha dorëheqjen. Zhuljen Varfaj, që e pasoi në këtë detyrë i mori frenat e qytetit në 1 dhjetor 2019, pavarësisht se ishte me raport mjekësor dhe i dorëzoi ato gati 4 muaj më pas, për t’ju rikthyer edhe njëherë problemeve shëndetësore. Tani është radha e Emirjana Sakos, e sapozgjedhur në detyrë). Hija e rëndë e kryebashkiakut shtatshkurtër që drejtoi Durrësin për 12 vite, 10 prej të cilave në qetësi të plotë dhe i patrazuar nga askush, duket se ka qenë e vështirë për t’u menaxhuar nga pasardhësit e tij në post. Dy dorëheqje pas një qëndrimi gati 4 mujor në post e Sakos nr.1 dhe Varfajt tregojnë se pavarësisht se duket qytet i qetë, me qytetarë gati-gati indiferentë ndaj masakrës që i është bërë ndër vite vijës bregdetare, KodërVilës, rrugëve kryesore, aksit “Pavarësia” etj, Durrësi nuk është aq i lehtë për t’u administruar, pasi mpleksen interesa të shumë palëve në lojën e madhe dhe të mistershme të pushtetit.
Tani mbetet për t’u parë për sa kohë do të qëndrojë në postin e qytetares nr.1, Emirjana Sako. Megjithëse Durrësi nuk ka gjetur qetësi gjatë këtyre muajve fatkeqësish natyrore (tërmet + koronavirus) dhe paqartësie të pushtetit vendor duket ende e largët dita se kur do të mbahen zgjedhjet lokale në qytetin bregdetar për të zgjedhur me votë kryetarin/en e bashkisë. Madje, edhe presidenti Ilir Meta, pak ditë më parë, i pyetur gjatë një emisioni televiziv, lidhur me dekretimin e datës së zgjedhjeve lokale në Durrës, Shkodër e Vorë dha një përgjigje evazive, duke iu referuar situatës së fatkeqësisë natyrore, të cilën qeveria Rama e shtyu deri në 23 qershor.
Duket se Emirjana Sako do të qëndrojë në këtë post të paktën për disa muaj, vetëm nëse nuk do të ndjekë shembullin e paraardhësve të vet Sako nr.1 dhe Varfaj për të dhënë dorëheqjen.
Por ndërsa Sako nr.2 u caktua fillimisht në postin e nënkryetares dhe tashmë të kryetares në detyrë, bashkia e Durrësit mbetet sërish me vetëm 2 nënkryetarë, njësoj siç ishte nga 1 dhjetori 2019 e deri në fund të shkurtit 2020. Nëse do të kemi një nënkryetar/e të ri mbetet për t’u parë, ose më mirë mbetet për të pritur sesi do të vendosë lideri i socialistëve durrsakë, Vangjush Dako. Që nga dhjetori i vitit të kaluar, Dako i mori sërish frerët e pushtetit vendor, fillimisht me Zhyljen Varfajn dhe tashmë me Emirjana Sakon, të dy bashkëpunëtorë të ngushtë të tij. Krahas postit të nënkryetarit, në bashki janë pa titullarë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve dhe Punëve Publike (që drejtohej nga Emirjana Sako deri në fund të shkurtit) dhe Drejtoria e Përgjithshme Ligjore, Arsim Kulturë dhe Burime Njerëzore (që drejtohej nga Dalina Bucaj, tashmë drejtoreshë e Tatimeve në Durrës).Përsa kohë konkurset në Administratën Publike janë pezulluar për shkak të pandemisë Covid-19, këto drejtori do të vazhdojnë të drejtohen nga persona të komanduar.
Ndërkohë, përsa i përket postit të nënkryetarit, për herë të fundit, bashkia e Durrësit ka pasur 4 nënkryetarë (ashtu siç edhe parashikohet në organikë me ndarjen e re territoriale), në muajin nëntor 2019, para dorëheqjes së nënkryetares Etleva Kondi. Posti i nënkryetarit/es mund të zëvendësohet në çdo moment, nëse Dako do ta shohë të arsyeshme, për t’i lehtësuar disi ngarkesën Emirjana Sakos. Për shkak të një problemi shëndetësor, Vangjush Dako e ka kaluar thuajse të gjithë periudhën e izolimit të zgjatur 6 javor në shtëpi, por burime të sigurta konfirmojnë se ai ka ndjekur nga afër të gjitha zhvillimet në Durrës dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt në bashki konsultohen rregullisht me të për mbarëvajtjen e punëve në drejtimin e qytetit 3-mijë vjeçar. Nëse do të zgjidhet një nënkryetar i ri/e re, ai ose ajo patjetër që do të gëzojë mbështetjen dhe besimin e kryebashkiakut historik të Durrësit në këto 30 vite demokraci. Fundja jo më kot, socialistët durrsakë vazhdojnë të luten për një rikthim të Dakos sërish në pushtet.
M.B.





