Përfundimi përpara afatit i mandatit të kryetarit të Këshillit Bashkiak Durrës, Ani Dyrmishi, i cili pritet që në shtator të marrë mandatin e deputetit i hap rrugë zgjedhjes së një kryetari të ri. Mbledhjet e fundit janë drejtuar nga zv/kryetarja Denisa Luarasi, por siç mëson “DurrësLajm” në mbledhjen e ardhshme grupi socialist, që ka mazhorancën e Këshillit do të propozojë emrin e kryetarit të ri. Nëse grupi socialist do të vendosë të propozojë emrin e Luarasit për kreun e Këshillit, do të duhet të përzgjedhë edhe një emër tjetër për postin e zv/kryetarit.
Por nëse nuk do të jetë Luarasi zgjedhja e socialistëve, ajo do të vijojë të mbajë postin e deritanishëm, atë të zv/kryetares, së bashku me kolegen tjetër Edlira Devolli.
Burime nga PS konfirmojnë se deri tani nuk ka një emër konkret për postin e kreut të KB-së, por pritet të vendoset në ditët në vijim.
Në të njëjtën kohë, PS pritet të përzgjedhë nga burimet njerëzore të saj edhe një nënkryetar të ri bashkie, pasi Renis Mullaj, pak ditë më parë u emërua drejtor i Spitalit Rajonal Durrës.
Mullaj ishte nënkryetari më i ri në moshë i bashkisë, pasi u zgjodh në këtë post, kur ishte vetëm 25 vjeç. Kompetenca për zgjedhjen e nënkryetarit të ri i takon kryebashkiakes Emiriana Sako, e cila ka në strukturë 4 nënkryetarë, por aktualisht ka në detyrë vetëm 2 prej tyre, Gentian Kallmin dhe Elio Janin.
Hera e fundit kur bashkia Durrës ka pasur 4 nënkryetarë në detyrë ishte viti 2019, kur postin e kryetares e mbante kryetarja e atëhershme e bashkisë, Valbona Sako.
M.B.





