Ahmad al-Ghuferi shpëtoi mrekulisht në momentin kur një bombë fshiu familjen e tij.
Në momentin kur 103 të afërm u vranë në një sulm në shtëpinë e tyre në qytetin e Gazës, ai ishte i bllokuar 80 km larg, në qytetin e okupuar të Jerikos në Bregun Perëndimor.
Ahmad po punonte në një kantier ndërtimi në Tel Aviv kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor – në pamundësi për t’u kthyer te gruaja dhe tre vajzat e tij të vogla për shkak të luftës që pasoi dhe bllokadës ushtarake të Izraelit. Ai fliste me ta çdo ditë në të njëjtën orë, kur i lejonin lidhjet telefonike dhe ishte në telefon me gruan e tij, Shireen, pak para sulmit mbrëmjen e 8 dhjetorit.
“Ajo e dinte se do të vdiste,” tha ai. “Ajo më tha ta falja për çdo të keqe që mund të më kishte bërë ndonjëherë. Unë i thashë se nuk kishte nevojë ta thoshte këtë. Dhe kjo ishte telefonata e fundit mes nesh.”
Një sulm i madh me bombë në shtëpinë e xhaxhait të tij atë mbrëmje vrau gruan dhe tre vajzat e tij të vogla; Tala, Lana dhe Najla.
Ajo vrau gjithashtu nënën e Ahmedit, katër nga vëllezërit e tij dhe familjet e tyre, si dhe dhjetëra halla, xhaxhallarë dhe kushërinj të tij. Mbi 100 të vdekur gjithsej. Më shumë se dy muaj më vonë, disa prej trupave të tyre janë ende të bllokuar nën rrënoja. Javën e kaluar ai shënoi ditëlindjen e vajzës së tij më të vogël. Najla do të kishte mbushur dy vjeç. Ahmedi ende po përpiqet të kuptojë humbjen.
Në pamundësi për të mbajtur trupat e fëmijëve të tij ose për të qenë prezent në varrosjet e tyre të nxituara, ai ende flet për ta në kohën e tashme, me fytyrën e tij të ngrirë nën lotët që rrjedhin mbi faqe.
“Vajzat e mia janë zogj të vegjël për mua. Më duket sikur jam në ëndërr. Ende nuk mund ta besoj atë që na ka ndodhur“- tha ai. Ahmedi ka hequr fotot e vajzave nga ekrani i telefonit dhe laptopit, për të mos u kapur papritur nga dhimbja për to. E vetmja gjë që i mbetet është të lidh historinë e asaj që ndodhi nga rrëfimet e disa të afërmve dhe fqinjëve të mbijetuar.
Ata i thanë se një raketë kishte goditur fillimisht hyrjen e shtëpisë së familjes së tij.
“Ata dolën me shpejtësi dhe shkuan në shtëpinë e xhaxhait tim aty pranë. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, një avion luftarak goditi atë shtëpi”- tha ai.
Ndërtesa katërkatëshe ku u vra familja qëndronte pranë Qendrës Mjekësore Sahaba në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës. Tashmë është një grumbull betoni i copëtuar, rrënojat e përshkuara me pika të ndezura ngjyrash: një filxhan plastik jeshil, copa rrobash të pluhurosura.
Korniza e thërrmuar e një makine argjendi dhe xhamat e thyer të saj qëndrojnë afër nën gurët e betonit që varen sipër tyre. Një nga të afërmit e mbijetuar të Ahmedit, Hamid al-Ghuferi, i tha BBC-së se kur filluan sulmet, ata që ia mbathën në kodër mbijetuan dhe ata që u strehuan në shtëpi u vranë.
“Ishte një valë zjarri. Kishte goditje në katër shtëpitë ngjitur me tonat. Ata goditnin një shtëpi çdo 10 minuta. Aty ishin 110 persona nga familja Ghuferi – fëmijët dhe të afërmit tanë”, tha ai. “Të gjithë, përveç një grushti prej tyre u vranë.”
Të mbijetuarit thonë se viktima më e madhe ishte një gjyshe 98-vjeçare; djali më i ri i vrarë kishte lindur vetëm nëntë ditë më parë.
Një tjetër i afërm, një kushëri i cili gjithashtu quhet Ahmad, përshkroi dy shpërthime të mëdha nga një sulm ajror.
“Nuk kishte asnjë paralajmërim paraprak,” tha ai. “Nëse [disa] njerëz nuk do të ishin larguar tashmë nga kjo zonë, unë mendoj se qindra do të ishin vrarë. Zona duket krejtësisht ndryshe tani. Kishte një parkim makinash, një vend për të ruajtur ujin dhe tre shtëpi plus një shtëpi të madhe. Shpërthimi shkatërroi një zonë të tërë banimi”.
Hamid tha se të mbijetuarit kishin punuar deri në orët e para të mëngjesit për të nxjerrë trupat nga rrënojat.
“Aeroplanët po fluturonin në qiell dhe kuadrokopterët po gjuanin drejt nesh ndërsa ne po përpiqeshim t’i tërhiqnim,” tha kushëriri Ahmad.
“Ne ishim ulur në shtëpi dhe e gjetëm veten nën rrënoja”, tha Umm Ahmad al-Ghuferi për BBC. “Më hodhën nga njëra anë në tjetrën, nuk e di si më nxorën jashtë, pamë vdekjen para syve”.
Dy muaj e gjysmë më vonë, ata ende po përpiqen të arrijnë disa prej trupave të varrosur nën rrënoja. Familja ka mbledhur para për të punësuar një fadromë të vogël, për të copëtuar mbeturinat.
“Ne morëm katër trupa sot,” tha Ahmad për BBC, “përfshirë gruan e vëllait tim dhe nipin tim Mohammed, i cili u nxorr në copa. Ata kishin qenë nën rrënoja për 75 ditë.”
Varret e tyre të përkohshme shtrihen në një copë tokë të zbrazët aty pranë, të shënuar me shkopinj dhe fletë plastike. Ahmedi, i mbërthyer në Jeriko, nuk i ka vizituar.
“Çfarë bëra që më privuan nga mamaja, gruaja, fëmijët dhe vëllezërit e mi?”- pyet ai. “Ata ishin të gjithë civilë”.
Ahmedi tha gjithashtu se avionët luftarakë kishin goditur objektiva terroriste në Rripin e Gazës, ndërsa operacionet tokësore vazhdonin. Zona e Zeitunit, ku dikur ishte shtëpia e familjes, tani është fokusi i operacioneve të reja nga IDF.
I mbërthyer në Jeriko me babain e tij – një tjetër punëtor ndërtimi i bllokuar në Bregun Perëndimor – Ahmedi ende ndonjëherë i telefonon të afërmit e tij të mbijetuar në Gaza. Por pas disa muajsh që ishte i bllokuar jashtë shtëpisë së tij të dashur dhe i dëshpëruar për t’u kthyer, ai nuk është më i sigurt nëse do të kthehet ndonjëherë.
“Ëndrra ime u shkatërrua në Gaza”, tha ai. “Për kë të kthehem? Kush do të më thërrasë baba? Kush do të më thërrasë i dashur? Gruaja ime më thoshte se isha gjithë jetën e saj. Kush do të ma thotë këtë tani?”