Të marrësh një leje drejtimi në vendin tonë, është si të marrësh 1 kg miell në marketin poshtë shtëpisë, pasi autoshkollat kanë mbirë si kërpudhat pas shiut!

Të marrosur për para, inspektorë të papërgjegjshëm nuk e kanë problem të lëshojnë patenta kundrejt një shume të caktuar, pa menduar më gjatë, çfarë dhe kush rrezikohet.

Jo pak herë janë përgjakur rrugët e Shqipërisë për faj të drejtuesve të mjeteve, akoma më të papërgjegjshëm se ata që i pajisën me leje drejtimi.

Jo pak fëmijë, të rinj e të moshuar, kanë humbur jetën apo kanë mbetur të gjymtuar për shkak të aksidenteve të rënda.

Pavarësisht kësaj, shqiptarët vazhdojnë të tregohen shpeshherë të papërgjegjshëm në timon. Madje dhe rripin e sigurimit nisëm ta vëmë vetëm kur nisën të priteshin fletët e gjobave, gjë që tregon se mesa lehtësi e marrim ndonjëherë jetën dhe sesi nuk i kushtojmë rëndësi ruajtjes së saj.

Madje, as unë nuk isha revoltuar ndonjëherë kaq shumë sa sot me këtë fenomen, nëse s’do më ishte rrezikuar jeta. Është shumë e drejtë që çdokush të pajiset me leje drejtimi pasi ka mbushur moshën madhore, por duhet me patjetër që ta testojë veten në rrugë të frekuentuara kur është shofer/e që sapo ka marrë patentën?  

E bëj këtë pyetje nisur nga ngjarja e ndodhur mesditën e sotme në rrugën “Taulantia” në Durrës, kur një makinë më mori përpara teksa kaloja në VIZAT E BARDHA.

Makina drejtohej nga një vajzë që mezi dukej në timon, e cila teksa përpiqej të shtypte frenat, shtypi gazin. Jam e lumtur që jetoj në kohën kur vajzat janë shumë më të emancipuara se kohë më parë dhe kanë thyer tabu. Të jesh në timon nuk është më privilegj vetëm i meshkujve, madje femrat shpesh tregohen shumë më të kujdesshme, por në ato momente tmerri, e vetmja gjë që më erdhi në mendje dhe e bërtita me të madhe ishte: Kush dreqin të dha patentë ty?!

Në moshë madhore për të drejtuar një automjet, por pa përvojë e njohuri se mbase ajo nuk e di që këmbësori ka përparësi në vijat e bardha. Mbase shoferllëku i duket aventurë, por përse duhet të bëhem unë kurban i aventurës së saj!

Kur do ta kuptojnë njerëz të kësaj natyre që tragjedi të tilla nuk mund të shmangen edhe kur pasagjeri i vendit të parë të orienton ç’duhet të bësh me një dorë tek timoni (si rasti i ditës së sotme)?! Pse duhet të ndërpriten ëndrrat e mia në mes, se shoferja me fytyrën e një fëmije në 9-vjeçare i jep makinës në rrugën më të frekuentuar të qytetit duke parë detin!

Janë me mijëra ato që kanë qenë në vendin tim e një pjesë e madhe fatkeqësisht kanë humbur jetën, jo më larg se pak minuta më parë, nuse dhe vjehërr në Durrës u përplasën për vdekje nga një 22-vjeçar.

Shumë kanë humbur jetën se dikujt i pëlqen shpejtësia, adrenalina, dikush ka bërë parakalimin e gabuar, një tjetër zgjodhi të testonte frenat në autostradë, e një tjetër e ka tejkaluar me alkoolin…

Dhimbja dhe nxirja e këmbës time do kalojë më shpejt se i ftohti i këtij dimri ama dhimbja që do të sillte fundi tragjik në këtë histori, s’do kalonte kurrë për të afërmit e mi.

Madje dhe dënimi i shoferes së re që po mësonte makinën në mes të Durrësit e që ndoshta nuk ka as patentë nuk do të qetësonte familjarët e mi. Prandaj përpara se t'i jepni makinës, mendoni më parë se mund t'i merrni jetën dikujt…

G.D.