Një sherr që ka shpërthyer mes disa personave që ngisnin automjetet e tyre në Graz, është përshkallëzuar duke shkaktuar një të lënduar rëndë.

Bëhet fjalë për një konflikt në mes të një kosovari 49-vjeçar që ngiste një “Mercedes” të zi dhe tre personave, vëllezër mes tyre, po ashtu kosovarë në makinën tjetër.

I pari ka goditur me qëllim dhe disa herë radhazi me makinën e tij, mjetin e tre personave të tjerë. Njëri nga këta të tre pësoi lëndime të rënda ndërsa dy të tjerët janë lënduar lehtë.

Duke goditur makinën e përmendur, sulmuesi ka shkaktuar dëmtimin edhe të një makine tjetër që nuk kishte të bënte me konfliktin, drejtuesi i të cilës së bashku me dy të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.

Të 6 të lënduarit janë transportuar në spital. Ndërsa personi që ka sulmuar me makinën e tij tre kundërshtarët, është arrestuar nga policia, përcjell “albinfo.ch”.
Motivi i zënkës ende nuk është i njohur për policinë. Por hetimet e deritanishme tregojnë se sherri kishte filluar nga mospajtimi mes drejtuesve të makinave se e kujt ishte përparësia në kalim.