Mëngjesin e sotëm, ndërsa po lexoja lajmet që kishin ndodhur në 12 orët e fundit, vëmendjen ma tërhoqi grabitja nga 4 persona të maskuar e një argjendarie në Lushnje ku ishin marrë rreth 100 milion lekë bizhuteri dhe fotomontazhi i publikuar nga kryeministri Rama, ku ai mishërohej tek Davidi i Mikelanxhelos, një nga kryeveprat më të bukura të Rilindjes italiane, ndërsa rivalët e tij politikë Basha e Kryemadhi ishin turistët që bëjnë sehir dhe selfie. Që Edi Rama është koka më e vyer e kësaj Rilindjes sonë alla-shqiptarçe, këtë nuk e mohon askush. Por ndërsa Rilindja italiane i dha botës disa nga gjenitë dhe kryeveprat që ende sot e kësaj dite vazhdojnë të mahnisin breza të tërë artistësh, intelektualësh apo dhe njerëzish të thjeshtë; kjo Rilindja jonë alla shqiptarçe e nisur me fasada dhe rikonstruksion sheshesh që u bënë copy-paste i njëri-tjetrit, po mbyllet me tendera me dokumenta false, koncesione dhe PPP-ra për miqtë e oligarkët e rrethit kryeministror që po shtrëngojnë edhe më shumë lakun e vënë financave të shtetit dhe xhepit të qytetarëve.

Kryeministri që gjeti kohën të vriste mendjen për ideimin e karagjozllëkut të rradhës (Rama i mishëruar tek Davidi!), nuk gjeti kohë të shkruante dy rreshta përgjatë këtyre ditëve të janarit për reagimin e fortë që duhet të kenë strukturat policore për të ndalur valën e grabitjeve që prej një muaji kanë nisur në qytete të ndryshme të vendit. Grabitja e 75 milion lekëve të Drejtorisë së Transportit në Durrës, 10 mijë eurove të një biznesmeni po në Durrës, 200 mijë euro të grabitura në një argjendari në Tiranë, 100 milion lekë në argjendarinë në Lushnje, 5 milion lekë të grabitura nga bankomati i një banke në Ura Vajgurore etj janë një këmbanë alarmi për situatën e rendit në vendin tonë dhe fuqizimin e grupeve kriminale. Si të mos mjaftonin atentatet, vrasjet, larjet e hesapeve dhe zhdukjet tipike mafioze të personave në Vlorë e Shkodër, tashmë po grabiten paratë e institucioneve shtetërore, bankat, argjendaritë, njësitë tregtare (një supermarket dhe dyqan u vodhën gjatë natës në Tepelenë, një dyqan u grabit në Durrës, i vetmi për të cilin policia arrestoi autorët). Të mos harrojmë se janë regjistruar edhe disa tentativa grabitjeje me sende të forta të bankomateve të bankave, të cilat sipas policisë dështuan. E “qershia mbi tortë” ishte grabitja e armëve brenda bazës ushtarake të Pashalimanit, për të cilën deri më tani kanë shkuar pas hekurave disa ushtarakë, por se ku përfunduan armët e sofistikuara dhe për çfarë do të përdoren këtë nuk e thotë askush.

Nuk po bëhet fjalë për hajdutë ordinerë apo përdorues droge që vjedhin paketa cigaresh, por për grupe të strukturuara që po grabisin miliona lekë, që në të ardhmen mund të përdoren për fuqizimin e mëtejshëm të kontigjentit të krimit. Gjendja alarmante e rendit dhe sigurisë në vendin tonë theksohet edhe më shumë kur pak ditë më parë, Numbeo.com, portali më i madh që mbledh të dhëna mbi kostot dhe cilësinë e jetesës në vende të ndryshme të botës, nënvizonte se Shqipëria e ka përkeqësuar renditjen përsa i përket Indeksit të Krimit në 2019-n.

“Këtë vit, Shqipëria shënonte 40.3 pikë nga 39.8 pikë që shënonte një vit më parë, duke kaluar nga një vend me nivel krimi të ulët në një vend me krim të moderuar. Për 2019-n, Shqipëria renditet e 12 në Europë për sa i përket krimit”,- raportonte Monitor.

Rama foli për rritje shpejtësie dhe rezultate më domethënëse në luftën kundër krimit, kur publikoi në rrjetet sociale dorëheqjen e ish-ministrit Fatmir Xhafaj, por deri më tani policia e kukullës Lleshaj ka treguar shpejtësi për numërimin e grabitjeve që po pasojnë njëra-tjetrën (madje disa është përpjekur edhe t’i fshehë). Suksesi i vetëm i policisë së drejtuar nga Lleshaj gjatë kësaj periudhe duket se është vetëdorëzimi i “Eskobarit” të Ballkanit, Klement Balili, madje edhe për këtë i duhet njohur merita drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, që shkoi dhe mori Balilin në Delvinë dhe e solli deri në Tiranë!!!

Ndërsa rendi dhe siguria pësojnë goditje të forta dhe kundër reagimi i strukturave të policisë duket shumë i dobët, kryeministri punon për gajasjen e rradhës në rrjete sociale. Nuk di pse Rama i mishëruar tek Davidi më solli ndërmend shprehjen: Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me pallë në dorë!

Deri në grabitjen e rradhës të maskave apo qeverisë (që uroj të mos ndodhë asnjëherë), të mendojmë për kryeministrin tonë dhe sesi Rama duket se po e shtron rrugën e tij të hyrjes në histori me pallë në dorë! E në këtë rast nuk bëhet fjalë për pallën (shpatën) e Skënderbeut apo patriotëve shqiptarë.

M.B.