Princ Leka është paraqitur para zyrave të AMP këtë të shtunë, për t’u pyetur për videon e publikuar në rrjete sociale dhe media.

AMP po heton se nga ku rrodhi videoja e cila tronditi të gjithë opinionin publik duke nxitur reagime të shumta.

Pas publikimit të videos së përplasjes fizike disa ditë më parë mes Princit Leka dhe bashkëshortes së tij në proces divorci, Elia Zaharia, çifti u përball në Gjykatën e Tiranës. 

Gjykatësi i dhomës civile pranoi kërkesën për urdhër-mbrojtje nga njëri-tjetri të Elia Zaharias dhe Princ Lekës. Vendimi u dha nga gjyqtari Artan Haradinaj. Mësohet se gjykatësi ka urdhëruar që Princi Leka mund ta takojë vajzën e vogël 3 vjeçare vetën në prani të dados, ndërkohë që çifti duhet të mbajë distancë 5 metra nga njëri-tjetri.

Princ Leka dhe Elia Zaharia, që janë në proces divorci, pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri, ndërsa ky moment është filmuar edhe me video.

Oborri Mbretëror reagoi duke kërkuar nga policia fshirjen e pamjeve, ndërsa vetë policia tha se po hetohet se kush i ka publikuar pamjet e dhunës, të filmuara nga vetë Princ Leka. Prokuroria ndërkohë ka nisur hetimet për dhunë në familje.