Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur dosjen hetimore të koduar “Lazarat 2”, një vit pas vrasjes së efektivit të Policisë së Shtetit, Ibrahim Basha në Lazarat.
Dosja përfshin 11 persona, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, gjashtë prej të cilvëe rezultojnë të jenë autorë të vrasjes. Grupi sipas organit të hetimit, drejtohej nga Arbjon dhe Alban Aliko, të cilët kanë planifikuar, organizuar dhe goditur forcat e policisë që patrullonin në Lazarat më 23-24 qershor 2015. Megjithatë, ende dhe sot, Prokuroria nuk sqaron se nga arma e kujt është vrarë Ibrahim Basha.
Autorët e akuzuar
Zyrtarisht, të akuzuar nga Prokuroria për vrasjen e Ibrahim Bashës, janë shtetasit Arbjon dhe Alban Aliko, 21 dhe 19 vjeç, të cilët akuzohen për kryerjen e veprave penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”; “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” e mbetur në tentativë, në 5 raste; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”; “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Për të njëjtat krime akuzohen edhe shtetasit Bajram Bocia, Elvis Bocia, Elson Kazma dhe Xhulio Malo.
Ndërsa pesë personat e tjerë, përkatësisht Klodian Selimi, Otlian Proko, Dervish Gaba, Ruhan Hiraj dhe Iljaz Xhaferaj, të gjithë të lindur pas vitit 1990, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, me dhunë; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”; “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, i hetuar me masë sigurimi “Arrest në burg”.
Ngjarja
Mesnatën e 24 qershorit, forcat speciale të policisë nisën një aksion në Lazarat pas informacioneve se atje kishte një grup kriminal. Fillimisht është arrestuar shtetasi Xhulio Malo, i cili po drejtonte një mjet që sipas prokurorisë kishte armë dhe lëndë narkotike kokainë.
Pas arrestimit, forcat speciale kanë njoftuar kolegët e tyre, të cilët gjendeshin në një furgon, për të realizuar shoqërimin e Malos. Në momentin që furgoni po afrohej, ndaj tij është qëlluar me armë zjarri, nga një largësi rreth 200 metra. Nga goditjet me armë ka mbetur i vdekur efektivi i policisë, Ibrahim Basha, si edhe janë plagosur efektivët Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj.
Në vijim të operacionit policor dhe më tej, nga hetimet e drejtuara nga Prokuroria për Krime të Rënda, u arrit të identifikoheshin dhe të arrestoheshin 11 pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal.





