10 tetor 2015 – Dikush e spiunoi njeriun e famshëm të dronit dhe pas kësaj erdhi dhe arrestimi i tij. Në seancën e djeshme gjyqësore ndaj Ismail Morinës u zbardhën edhe detaje nga arrestimi i tij. “Gazeta Shqiptare” shkruan sot se prokurori Gjergji Tako, pohoi se “njeriu i dronit” është “spiunuar” nga një njeri i panjohur. Ai zbuloi se policia është vënë në lëvizje, pas një informacioni konfidencial, ku personi rrëfente se me një makinë “Land Rover” lëvizte një person i armatosur. “Në datën 07.10.2015 patrullat e përgjithshme të komisariatit të policisë nr.1 kanë marrë informacion nga salla operative se një automjet me targë me shenja fillestare AA xxx kishte brenda njerëz të armatosur.
Në orën 00:30 një patrullë ka konstatuar automjetin përballë një subjekti të quajtur ‘L…L’. Patrulla ka ndaluar dhe ka vërejtur se në timon gjendej një shtetas. Në makinë ndodheshin dhe tre persona të tjerë. Nga intervistimi rezultoi se në timon gjendej shtetasi Ismail Morina.
Nga krahu i drejtuesit quhet Marin Rexha, ndërsa dy të tjerët rezultoi se quheshin Denis Balla dhe Erjon Bahushi. Patrulla vijoi kontrollin dhe rezultoi se Ismail Morina kishte në xhepin e përparmë të majtë të pantallonave një armë zjarri të markës ‘Zastava’, në krehrin e kësaj arme gjendeshin gjashtë fishekë. Në trupin e tre personave të tjerë nuk u gjend asnjë send i kundraligjshëm.
Në ambientet e komisariatit nr.1 vijoi kontrolli, ku poshtë sediljes së drejtuesit u konstatua një pistoletë tjetër e markës ‘TT’ me ngjyrë të zezë. Në dyshemenë e automjetit u gjend një gëzhojë ngjyrë bronzi. Në brendësi të kroskotit u gjend një kuti kartoni me 30 copë fishekë. I dyshuari Ismail Morina shpjegoi se armët që iu gjendën në automjet i posedonte ai dhe i mbante për vetëmbrojtje. Ai shpjegon se armën ‘TT’ e kishte gjetur në fshatin e tij në Kukës, ndërsa pistoletën ia kishte dhënë një shtetas kosovar”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Në makinë, u gjet gjithashtu edhe një parullë në gjuhë të huaj me kuptimin “Unë jam shqiptar”. Për sa më sipër, prokurori kërkoi masën e arrestit me burg për Morinën, masë që u vendos edhe nga Gjykata.
/portali DurresLajm/