Pas më shumë se 3 vitesh nga vrasja e 21-vjeçares Sonila Cani në Torino të Italisë, autoritetet italiane kanë zhvillime të reja në lidhje me këtë dosje.

Hetimi i udhëhequr nga prokurorja Valentina Sellaroli ka nxjerrë në dritë një grup shqiptar të përfshirë në rrjetin e prostitucionit.

Dyshimet e ngritura që prej fillimit se Sonila ishte shtyrë drejt vetëvrasjes dhe jo ta ndërmerrte këtë akt pa asnjë shkak, tashmë janë sqaruar.

Prestigjiozja italiane “La Stampa ka mësuar përmes burimeve se prokurorja e çështjes ka dalë në konkluzion se konteksti në të cilën ndodhi ngjarja tashmë është i qartë. Sonila ishte shtyrë të kryente vetëvrasje. Këtë e ka konfirmuar edhe gjyqtarja e dosjes, Francesca Pani, që ka pranuar pjesërisht kërkesën e prokurores.

Kështu, në kuadër të grupit shqiptar të përfshirë në prostitucion të zbuluar nga hetimet së fundmi, gjykata caktoi 5 masa sigurimi, nga 16 persona të dyshuar që po hetohen për shfrytëzim prostitucioni dhe krime të tjera si grabitje, emigracion i paligjshëm etj.

Mes personave të dyshuar është edhe vetë bashkëshorti i Sonila Canit, Kreshnik Cani, me të cilin ka një djalë. Kreshnik Cani po hetohet nga Prokuroria e Torinos për nxitje drejt vetëvrasjes dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Kreshnik Cani u hetua edhe nga Prokuroria e Beratit pas një kallëzimi që bënë prindërit e Sonilës për shfrytëzimin e vajzës së tyre.