Emri i 28-vjeçares nga Durrësi, Silvja Gjepali, e diplomuar për Teknologji Informacioni në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë po përflitet dy ditët e fundit mes demokratëve të qytetit bregdetar si kandidatja rivale në primaret e së dielës.

Emri i saj është propozuar nga strukturat lokale dhe pas plotësimit të formularit të Komisionit të Rithemelimit, Gjepali është tashmë zyrtarisht një nga kandidatet në garë përballë urbanistit Ardian Muka.

Për “DurrësLajm”, Gjepali thotë se i është komunikuar nga strukturat drejtuese që të plotësojë formularin e aplikimit dhe të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar, meqë kandidatura e saj erdhi si propozim nga baza e partisë.

Vajza e re, që punon si IT nuk ka pasur asnjë hezitim në këtë drejtim dhe shpjegon edhe arsyet:

“Absolutisht që do të ishte një konfirmim pjesëmarrja nga ana ime. Kjo jo vetëm sepse jam pjesë në strukturat e partisë prej vitesh, por edhe sepse e shoh si një mundësi të përfaqësimit të rinisë me një figurë femërore. I uroj shumë suksese edhe  kandidatit në garë me mua dhe të na shkojë mbarë për një fitore të këtyre zgjedhjeve”, – deklaron Gjepali.

Vajza e re është prej 14 vitesh pjesë e strukturave të Partisë Demokratike në Durrës, e anëtarësuar që në vitin 2008, dhe që prej asaj kohe është angazhuar së bashku me të rinj të tjerë në fushatat elektorale për zgjedhjet vendore dhe parlamentare.

Ajo ka qenë gjatë këtyre viteve pjesë e kryesisë së Forumit Rinor të Partisë Demokratike Durrës, ndërsa tani është sekretare grupseksioni.

Në CV-në e saj politike, Gjepali ka edhe kandidimin në listën e këshilltarëve bashkiakë në zgjedhjet lokale të vitit 2015.  

Të dielën, anëtarësia e Partisë Demokratike në Durrës është ftuar të marrë pjesë në primare për të zgjedhur me parimin “një anëtar, një votë” kandidatin/en me të cilin Komisioni i Rithemelimit do të garojë për postin e kryebashkiakut në zgjedhjet e 6 marsit.

M.B.