6dhjetor 2015 – TEA Construction and Petrol është përfshirë së fundi në një skandal të kontrabandës së naftës. Administratori i saj, Adrian Xhillari është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi është jashtë vendit. Kompania akuzohet se ka shitur 4.4 milionë litra naftë të papërpunuar “virxhin” duke shmangur akcizën. Kjo sasi është marrë nga depot e saj për t’u dërguar për përpunim, por nuk figuron e regjistruar për t’u përpunuar. Prokuroria thotë se ajo është shitur në pika të ndryshme karburanti që kompania ka në mbarë vendin.
Në faqen e internetit të TEA Construction and Petrol thuhet se kjo është një ndër kompanitë më të mëdha të naftës në vend dhe e vetmja që ka licensë për përpunimin e naftës bruto në Shqipëri. Thuhet gjithashtu se është aktive në sektorin e mjedisit, duke mbështetut shumë aktivete private e publike për të mbajtur pastër mjedisin.
Për administratorin e saj, Adrian Xhillarin, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, sqarohet se pasi përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës ai emigroi në Greqi ku punoi në industrinë e naftës deri në vitin 2000, kohë në të cilën ai nisi punën me kompaninë e tij private në fushën e ndërtimit. TEA Construction & Petrol është kompani që zotërohet prej tij. Ai është presidenti dhe pronari i vetëm. Në të njëjtën kohë ai është president i kompanisë TEA Oil Group.
Aktiviteti i kësaj kompanie është shtrirë edhe në vende të tjera të Ballkanit, si Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, po ashtu edhe në Qipro dhe ka për qëllim të shtrihet në vende të tjera të Europës Lindore.
Në përshkrimin që i bëhet kompanisë në anglisht thuhet gjithashtu se ajo ka nënshkruar kontrata me gjigantë të tregtisë së naftës, duke i rritur fitimet në miliona euro.
“Gjatë viteve, z. Xhillari ka provuar se është një biznesmen i suksesshëm dhe parner i besueshëm. Nën drejtimin e tij, kompania është vlerësuar mes më të mirave në rajon, përsa i përket mënyrës se si drejtohet një biznes”, sqarohet në përshkrim.
Prokuroria e Fierit e shpalli në kërkim Xhillarin pas disa muaj hetimesh ndërsa nxorri urdhër arreste për 7 zyrtarë të doganave, përfshirë edhe ish-zv.Drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave..
Vendimi i gjykatës për punonjësit e doganës është ekzekutuar mbrëmjen e së shtunës nga ana e forcave të Policisë së Shtetit. Administratori Xhillari është shpallur në kërkim ndërkombëtar pak muaj më parë, pasi rezulton se është jashtë Shqipërisë.
Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit, në bazë të materialit referues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka rezultuar se kompania e shtetasit Xhillari ka marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftën “virxhin” në pronësi të kompanisë së tij, nga depot e Mëzezit, Tiranë, për në depot pranë rafinerisë së përpunimit të naftës, në Ballsh.
Por, rezulton se kjo sasi nafte (4.4 milionë litra), e cila nuk lejohet të dalë në treg pasi është e cilësisë bruto, nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u shitur në treg të lirë. Krahas pasojave shumë të mëdha në mjetet e qytetarëve, “zhdukja” e kësaj sasie të madhe nafte, i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në mbi 2 milion euro nga shmangia e pagimit të akcizës.
Prokuroria e Fierit, në vijim të hetimeve të saj, ka konstatuar se “zhdukja” e 4.4 milionë litrave naftë “virxhin” të “Tea Construction & Petrol” është realizuar edhe për shkak se zyrtarët e doganave që kishin për detyrë të regjistronin lëvizjen e sasisë së karburantit nga Mëzezi në Ballsh dhe të monitoronin depozitimin e saj në depot përkatëse, nuk e kanë kryer aspak detyrën e tyre.
Për këtë arsye, gjykata e Fierit, pas kërkesës së Prokurorisë së këtij qytetit, ka caktuar masat e sigurisë “arrest në burg” për shtetasit, si më poshtë:
1. Lula Njebza, ish-zv/Drejtoreshë e Përgjithshme të Doganave;
2. Mirarbër Teneqexhiu, ish- Kryetar i Doganës Tiranë,
3. Alfred Bushi, ish- shefi i Akcizës
4. Adrian Alikaj, doganier akcize
5. Syrja Misiraj, doganier akcize,
Po ashtu, është vendosur masë e sigurisë “arrest në shtëpi” për shtetaset:
6. Ortenca Zorba, doganiere akcize
7. Elona Jareci, doganiere akcize
Ndërkohë që, në muajin Maj 2015, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të “Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë”, për shtetasin:
1. Adrian Xhillari, administrator i kompanisë “Tea Construction & Petrol”. Ky shtetas është shpallur aktualisht në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton se është larguar nga Shqipëria para se të vendosej masa e sigurisë nga gjykata./Lapsi.al/





