Pas përjashtimit me firmë të Flamur Nokës të Dritan Burgijës dhe Arlind Boshkut nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike në KB Durrës, mbetet i paqartë statusi aktual i dy këshilltarëve.
Megjithëse në shkresën e datës 23 mars propozohej që kryetar i grupit të bëhej këshilltari Ardian Muka, në sekretarinë e këshillit nuk është paraqitur deri në ditën e sotme kërkesa për zëvendësimin e Burgijës nga një këshilltar tjetër demokrat.
Burgija ishte i pranishëm sot në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak dhe përgjatë gjithë mbledhjes qëndroi në krah të këshilltarit Ardian Muka.
Kujtojmë se një ditë më parë, dy këshilltarët bashkiakë, së bashku me të tjerë anëtarë të PD Durrës, ishin në selinë qendrore të Partisë Demokratike, ku depozituan kërkesën për ballafaqim me kryetarin Sali Berisha, pasi përjashtimin nga grupi e kanë konsideruar të padrejtë dhe në shkelje të Statutit të partisë.
Gjatë ditës së djeshme, Burgija dhe Boshku nuk kanë mundur të takohen me Berishën dhe nuk kanë asnjë përgjigje zyrtare lidhur me kërkesën e tyre.
Deri më tani mbetet i paqartë pozicioni i mëtejshëm i Arlind Boshkut dhe Dritan Burgijës, përderisa nuk ka një kërkesë konkrete të PD-së, të depozituar pranë sekretarisë së këshillit.





