Alfred Shkurti,  ose i njohur ndryshe si Aldo Bare, ka qenë një nga efektivët më të mirë të Repartit Special 326. Pas ndryshimeve në vend, në vitin 1990, Bare largohet nga trupat speciale dhe emri i tij do të harrohej deri në verën e vitit 1997.

Pas vrasjes së të vëllait të tij, Ramadan Shkurti, Aldo Bare hyri në botën e krimit ku zë fill edhe Banda e Lushnjës dhe krimet e saj.

Akuza: Krijimin e organizatës kriminale, 15 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale, vendosjes së eksplozivit në stadiumin e Lushnjës, për vendosjen në 2001-shin të eksplozivit në banesën e inspektorit të policisë, Idriz Shuli, për vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut, vendosje e eksplozivëve në mars të 2005-s në një apartament në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, për vrasjen në korrik 2005 të Baki Taullahut dhe për një numër vrasjesh të tjera.

Ndërkohë Zanafilla e “Bandës së Lushnjës” nis aty nga viti 1997. Gjithçka nisi pas një sherri mes Aldo Bares dhe Artur Dajës, pas një bisede telefonike mes dy miqve. Grindja mes tyre nuk do të mbaronte vetëm me një mbyllje telefoni.

Sipas prokurorisë, Aldo Bare qëllon ndaj Artur Dajës, duke e plagosur, por vdes në vend një shoku i këtij të fundit, Genci Kashari. Por në këtë shkëmbim zjarri mes palëve ka mbetur i vdekur vëllai i Aldos, Ramadan Shkurti.

Pas ngjarjes, trupat e të vrarëve Ramadan Shkurti dhe Bardhyl Rabia janë mbajtur peng për një kohë të gjatë nga Artur Daja, që nuk ka lejuar marrjen e kufomave nga familjarët e tyre.

Për t’u hakmarrë për të vëllanë e tij, Aldo Bare (Alferd Shkurti) krijoi bandën e armatosur, duke përfshirë edhe persona të tjerë të akuzuar në këtë proces. Kjo bandë ka pasur 15 anëtarë.

Sipas prokurorisë, ish-speciali kishte arritur të rekrutonte në bandën e drejtuar prej tij Ilir Stërgun, Afrim Hoxhën, Arben e Enver Boriçin, Enver Dondollakun, të gjithë shokë, miq e të afërm të "kokës" së grupit, Aldo Bare dhe vëllait të tij Ramadan Shkurti.
 
Më pas kësaj bande iu bashkuan edhe: Maksim Çela, Erion Cici, Dritan Vila, Leonard Prifti, dhe shumë të rinj të tjerë.
 
Me mbledhjen e këtyre "ushtarëve" përreth "kryetarit", siç e quanin në biseda telefonike Aldo Baren, filluan edhe ekzekutimet në qytetin e Lushnjës ndaj Artur Dajës, shokëve, miqve e familjarëve të tij, teksa në kurriz të kësaj bande janë të paktën 20 vrasje, plagosje, rrëmbime dhe gjoba.
 
Ndryshe nga të gjitha bandat që vepronin në vitin 1997 në vend, banda e Lushnjës arriti të krijonte një komisariat të vetin në qytet, atë që mbahet mend edhe si “Komisariati Nr. 2”.
 
Mbretërimi i tij në qytet zgjati për gati 10 vjet, deri në vitin 2006 kur u godit dhe koka e bandës, Aldo Bare i cili u arrestua në Turqi, ndërsa më pas u ekstradua në Shqipëri me kërkesë të autoriteteve. 

Ndërkohë që tre nga të dyshuarit si anëtarë të së ashtuquajturës “Banda e Lushnjës” janë vrarë, përkatësisht Gentian Kulla, Edison Xhafaj, Leonard Prifti. 

Por mes tyre ka edhe një të penduar të drejtësisë. Ndihmësi i drejtësisë shqiptare ka rrëfyer në seancat gjyqësore të gjitha historitë e krimeve të kryera nga kjo bandë si dhe të gjithë emrat e anëtarëve që kanë shkrepur këmbëzën e pistoletës, apo butonin e lëndës eksplozive.

Është i vetmi nga 15 pjesëtarët e “familjes së madhe” që ka kontribuuar për të zbardhur të gjitha misteret e krimeve që mban mbi supe kjo bandë.