*Mbrëmë në Durrës, një deputet i PS-së u pa me Dukën

Pas 25 vjetësh Partia Agrare Ambientaliste e drejtuar nga Lufter Xhuveli ka një kryetar të ri, deputetin e Partisë Republikane Agron Dukën. Ish-ministri i Bujqësisë është zgjedhur dje nga Asambleja e PAA-së si kryetar i kësaj partie, pas dorëheqjes se Xhuvelit.

Në deklaratën e bërë dje për mediat pas zgjedhjes, Duka u shpreh se është në bisedime dhe gjatë ditëve në vijim mund të ketë deputetë të tjerë që do t’i bashkohen Partisë Agrare.

“Parlamenti Shqiptar ka shumë njerëz që kanë të tillë begraund dhe kanë dëshirë të mbrojnë interesat e qytetarëve që PAA përfaqëson. Jemi në bisedime, mund të kemi në të ardhme, jo surprizë, por bashkim të deputetëve të tjerë”, tha dje Duka.

Gazeta “Koha Jonë”, shkruan sot se sipas disa informacioneve, janë të gjitha gjasat që disa deputetë të Partisë Socialiste t’i bashkohen Agron Dukës në Partinë Agrare. Gjatë tre viteve në pushtet në mesin e ligjvënëse të PS-së janë krijuar pakënaqësi të mëdha me drejtuesit e partisë dhe qeverisë. Kjo gjë duket se e ka bërë të pamundur bashkëjetesën e mëtejshme në PS mes deputetëve të pakënaqur dhe pjesës tjetër të grupit parlamentar. Ndaj dhe një kalim i tyre drejt një partie të re shihet si e vetmja zgjidhje. Njeri deputet nuk është i panjohur nga radhët e PS-së.

Partia Socialiste është në fazën me kritike të jetës së brendshme politike pas ardhjes në pushtet. Një grup deputetësh, si Ben Blushi, Arta Dade, Mimoza Hafizi, Namik Kopliku kanë shprehur hapur pakënaqësinë ndaj qeverisjes dhe drejtimit të partisë nga Edi Rama. Veç këtyre ka dhe të tjerë, që pakënaqësitë nuk i kanë shprehur në publik, por janë anashkaluar nga vendimmarrja në PS. Zakonisht kundërshtarët e Ramës në grupin parlamentar nuk janë futur më listat për deputet në zgjedhjet e radhës. Për të shmangur përjashtimin nga politika në 2017-n, një pjesë e deputetëve mund kenë nisur të bëjnë dhe llogaritë për të ardhmen e tyre.

Partia Agrare, tashmë jo e Xhuvelit, por e një ish-socialisti si Agron Duka është një mundësi. Ish-ministri socialist ua la hapur derën dje ish-kolegëve të tij. Në fakt tashmë Duka synon ta kthejë PAA-në në një parti konkuruese elektorale, ku në Durrës e ka të sigurt një deputet, në Fier-Lushnjë një tjetër, në Elbasan ka llogaritur një kandidat të fortë, kurse në Shkodër e Malësi të Madhe e ka piketuar emrin sfidues ndaj partive.

“Koha Jonë” shkruan se mbrëmë në Durrës, një deputet i PS-së u pa nën shoqërinë e Dukës. Mos është ai i pari që kalon me PAA-në?