Drejtori i Kadastrës Durrës, Liridon Pula, i cili u arrestua sot, pasi Gjykata e shkallës së parë kishte dhënë masën e sigurisë "Arrest me burg" erdhi në krye të këtij institucioni në fillim të muajit maj, menjëherë pas ngritjes së Agjensisë Shtetërore të Kadastrës.

Prezantimi i drejtuesit të ri është bërë nga Drejtori i Përgjithshëm Erion Zoto, më datë 8 maj të këtij viti. Pula erdhi në një periudhë kur Hipoteka e Durrësit ishte në qendër të vëmendjes, pas largimit të një drejtori të mëparshëm me urdhër të vetë kryeministrit Rama, me kontrolle të njëpasnjëshme që erdhën nga Tirana, masa administrative që u morën ndaj punonjësve të ZRPP Durrës etj. 

Kur dukej se Kadastra Durrës kishte gjetur pak qetësi, javët e fundit vëmendja e policisë dhe prokurorisë është përqendruar sërish aty. Pak kohë më parë, në muajin gusht, u shoqëruan në polici tre punonjës të Kadastrës. 

Dy javë më parë u shoqëruan 9 punonjës të tjerë, mes të cilëve edhe drejtori Pula dhe nëndrejtori Leonard Kadrimi dhe u mor nga gjykata masa e sigurisë "Detyrim paraqitje" për punonjësen Lusiena Kolaj. Sot, u arrestua drejtori 36-vjeçar Liridon Pula.

A do të vazhdojë të "presë më koka" ky institucion mjaft i rëndësishëm në Durrës?!