13 nëntor 2015 – Funksionarja e policisë italiane, Anna Poggi që ishte drejtuesja e zyrës italiane të Interpolit në Tiranë, ka treguar fakte në lidhje me trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali, si dhe rolin që ka pasur ish-shefi i Antidrogës në Fier, Dritan Zagani.
Gazeta “Shqiptarja.com” ka zbardhur disa dokumente, që funksionarja italiane më 15 janar 2014 mori nga Prokuroria e Krimeve të rënda të Tiranës një kërkesë informacioni për “një shtetas italian ende të paidentifikuar”, që sipas hetuesve shqiptarë kishte kontakte me një zyrtar të policisë shqiptare në shërbim në Antidrogën e Fierit (që më pas do të mësohet se është Dritan Zagani), dhe me një qytetar tjetër shqiptar.
Numrat e telefonit të dy shqiptarëve ishin vënë nën përgjim nga prokuroria shqiptare për një hetim trafiku droge i lindur pas sekuestrimit të 908 kg marijuanë më 24.12.2013 afër hidrovorit të Vlorës.
Kërkesën e prokurorisë shqiptare, Poggi ia transferoi drejtorisë qendrore të policisë në Romë, dhe mori këtë përgjigje: “Personi i cili duhet të identifikohet i korrespondon Alessandro Giuliani i Guardia di Finanza-s, në shërbim pranë seksionit “I”. Alessandro Giuliani, në vijim të shërbimit pranë Qendrës Kufitare Detre në vitet 1999-2000 dhe në 2010-20112, ka kryer edhe aktivitet informues. Përgjatë këtij shërbimi ka konsoliduar lidhjet me pjesëtarë të policisë shqiptare si dhe subjekte të tjera të cilët kanë qenë të aftë t’i japin informacione të dobishme për zhvillimin e aktivitetit të policisë gjyqësore në Itali. Në konform me detyrat institucionale që kërkoheshin, ka vazhduar të mbajë kontakte me persona në Shqipëri si dhe ka transmetuar çdo informacion të dobishëm dhe lajm që ka mbledhur, duke përpiluar saktësisht raportet përkatëse dhe duke ja dërguar reparteve territoriale dhe komandave detare të Guardia di Finanza-s të cilat kanë kryer hetimet e mëtejshme në Itali.
Në periudhën nga 10 deri në 13 janar 2014, Alessandro Giuliani ka ardhur në Shqipëri privatisht, jo me shërbim, por i autorizuar nga shefat e shërbimit të tij. Ka mbajtur kontakte telefonike me nr.06978XXXX në përdorim të një subjekti me të cilin kishte njohje dhe konsiderohej i dobishëm për shërbimin. Ka kontaktuar shpesh dhe një pjesëtar të policisë shqiptare i impenjuar në shërbimet antidrogë i cili administron burimet konfidenciale, të njohura prej tij , duke konsoliduar një marrëdhënie besimi në organin homolog të policisë, me qëllim shkëmbimin e njohjeve, modus operandi, vendeve të mundshme nga të cilat nisen skafet që transportojnë lëndë narkotike nga brigjet shqiptare, vende të njohura nga shtetasi në fjalë nga e kaluara në territorin shqiptar”.
/portali DurresLajm/