Zbulohen detaje nga profili i 33-vjeçarit të arrestuar pak orë më pare nga Policia e Shtetit. Barush Bregu është vënë nën hetim që prej muajit gusht 2018, kur një seri ngjarjesh kriminale kishte përfshirë qytetin e Shkodrës.

Bregu akuzohet se është pjesë e grupit kriminal të Bajrajve, që u arrestuan vjeshtën e 2018-ës në operacionin “OAZ”. Gjatë këtij operacioni, atij iu gjet në banesën e tij në Shkodër, një armë, që nuk dihet ende nëse është e tij.

Bashkë me Bajrajt, ai akuzohet se ka marrë pjesë në disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në këtë qytet, por që ende nuk janë zbardhur.

Ai është i dënuar me 4 vite burg për kultivim narkotikësh.

33-vjeçari, i konsideruar nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë, fshihej prej disa javësh në një banesë me qira në katin e fundit të një pallati tek Komuna e Parisit.

Ai akuzohet sipas banorëve të zonës dhe ka lëvizur disa herë i armatosur në publik.

Për arrestimin e tij u angazhuan forcat Shqiponja, Reparti RENEA dhe FNSH, bashkë me efektivë të policisë së Shtetit. Ai kishte 10 ditë që ishte nën vëzhgim nga policia.

Bashkë me Barush Bregun u prangos edhe një i ri që dyshohet se e ka ndihmuar të fshihet.