Policia e Tiranës ka dhënë sot zyrtarisht emrat e personave të arrestuar si autorë të dy grabitjeve spektakolare të bankave të ndodhura më datat 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt 2017. Katër persona u arrestuan pasditen e sotme pas një operacioni të ndërmarrë në rrethinat e Tiranës. (në foto: Neim Avdulaj)
Drejtoria e Policisë Tiranë, Drejtoria Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në bashkëpunim dhe me prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit “Patriot”, pas hetimeve intensive, zbuluan, dokumentuan dhe arrestuan autorët e dy grabitjeve të vlerave monetare bankare në transport, në aksin Tiranë- Rinas.
Nga ana tjetër Hodaj bëri të ditur se 4 autorët e dyshuar grabitjes, janë persona me precedentë të mëparshëm penal, brenda dhe jashtë vendit. “Është çështje në hetim por nga informatat që ka policia, disa nga këta persona kanë background të mëparshëm penal brenda dhe jashtë vendit. Duke kuptuar edhe interesin tuaj (i drejtohet gazetarëve), çështja është në hetim dhe e kam të pamundur që të të përcaktoj rolin e tyre në këto ngjarje kriminale. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka mbledhur prova të pakontestueshme që i implikojnë ata në këto ngjarje.”, tha Hodaj.
Pa përmendur shifrën e saktë se sa ka qenë shuma e sekuestruar sot nga blutë, Hodaj thekon se paratë janë gjetur në vende të i kishin fshehur autorët. Pas verifikimit të kryer, u vu re se ato kishin të njëjtën prere të atyre që iu grabitën BKT-së në 9 shkurt. “Sasia e lekeve është gjetur në disa vende. Ndaj janë veprimet hetimore të karakterit sekret dhe mund të ketë të tjerë që mund të jenë në hetim.”, pohoi Hodaj. Teksa u pyet nga gazetarët nëse emri i një prej të arrestuarve, Ernest Kupa, ishte pjesë e bandës së babagjyshëve, Hodaj pohoi se nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë fakt.
“Nuk mund të them këtë në ka apo jo. Nuk kemi asnjë person që ka status të penduarit.”, theksoi ai. Në fund Hodaj tha të arrestuarit nuk kanë lidhje familjare më njëri-tjetrin. “Nga informacionet që ka policia nuk ka lidhje familjare mes tyre.”, përfundoi ai.





