“Kumbari” i Shkodrës, Bardhok Pllani është ekzekutuar mbrëmjen e sotme me armë, në një atentat tipik mafioz.

Ai ka qenë duke udhëtuar me makinë kur është qëlluar për vdekje.

Por kush është viktima e atentatit të sotëm?

Bardhok Pllani cilësohet si “kumbari” i Shkodrës.

Pak vite më parë, policia dhe prokuroria i sekuestroi një pallat me vlerë 2 milionë euro, ndërsa u vu nën akuzë për tre vepra penale “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”.

Sakaq, në vitin 2014, i forti i Shkodrës është arrestuar për trafik droge. Bardhok Pllani njihet si njeriu që trazoi politikën dhe policinë disa vite më parë.

Në vitin 2014, “kumbari” i Shkodrës u fsheh në makinën e ish-deputetit Mark Frroku, për t’iu shmangur arrestimit nga policia, e cila e kërkonte për trafik droge. Frroku mohoi akuzat në drejtim të tij, por në raportin e oficerëve të gjurmimit në sektorin e narkotrafikut, shkruhet se i dyshuari në survejim prej tyre ka lëvizur nga lokal “Antika” në Tiranë, drejt Laprakës me automjetin “Audi” në pronësi të deputetit.

Pllanaj është hetuar së bashku me disa persona të tjerë, si pjesë e grupit të të arrestuarve në kuadër të operacionit “Laguna e Vilunit”, madje ndaj tij u nxor edhe një urdhër arresti, por në atë kohë ai nuk u gjet. Ai i shpëtoi dënimit për mungesë të provave.

Gjatë operacionit “Laguna e Vilunit” të zhvilluar më datë 30 shtator 2014, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit, shërbimet e policisë kufitare dhe ato të Guardia di Finanza, panë të hidheshin nga një mjet lundrues, në det çanta të zeza në përmasa të mëdha.

Pasi u nxorën nga deti, rezultoi se brenda thasëve kishte drogë me peshë 210 kg. Të nesërmen, në vendin e quajtur Grykëderdhja e Bunës në Velipojë, forcat e policisë kufitare gjetën të hedhura në det edhe 15 çanta të tjera me peshë 594 kg. Hetimet provuan se sasia e lëndës narkotike ishte ngarkuar në skaf në Velipojë për t’u dërguar në Itali.