Disa ditë më parë, në fund të muajit shkurt, drejtoresha e Përgithshme e Shërbimeve dhe Punëve Publike në bashkinë e Durrësit, Emiriana Sako është zgjedhur nënkryetare.

Që pas tërmetit të 26 nëntorit dhe dorëheqjes së ish-kryebashkiakes Valbona Sako dhe ish-nënkryetares Etleva Kondi, bashkia e qytetit bregdetar mbeti vetëm me dy nënkryetarë (Florian Tahiri dhe Arbër Braho), ndërsa Zhuljen Varfaj u votua në Këshillin Bashkiak kryetar në detyrë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale të parakohshme në Durrës.  

Në të gjitha vizitat që kryeministri Edi Rama ka bërë në Durrës, dy muajt e fundit, për të inspektuar punimet që po realizohen në objektet që i janë nënshtruar riparimit të dëmeve që la pas tërmeti shkatërrimtar, Emiriana Sako është shfaqur gjithnjë në krah të kryetarit në detyrë Zhuljen Varfaj.

Gjithsesi, lëvizjet në stafin e bashkisë Durrës nuk përfundojnë me kaq. Burime të besueshme bëjnë të ditur për DurrësLajm, se përveçse është zgjedhur nënkryetare bashkie, Sako është duke u projektuar si kryetarja e ardhshme në detyrë.

Të njëjtat burime thonë se Varfaj pritet të heqë dorë nga kryetar në detyrë dhe të mbajë vetëm detyrën e nënkryetarit, për shkak të problemeve shëndetësore dhe një ndërhyrjeje që pritet të realizojë së shpejti (Kujtojmë se Varfaj ishte me raport mjekësor në kohën kur tërmeti me magnitudë 6.4 goditi Durrësin dhe u kthye në detyrë për të marrë “frerët” e qytetit, megjithëse nuk e kishte përfunduar periudhën një mujore të pushimit të këshilluar nga mjekët).

Nëse kjo gjë ndodh, pritet që Këshilli Bashkiak të mblidhet për të votuar kryetarin/en e ardhshme në detyrë, që sipas të gjitha gjasave pritet të jetë Emirjana Sako.

Në fund të marsit përfundon periudha e gjendjes së jashtëzakonshme e shpallur nga qeveria Rama në qarkun e Durrësit dhe qarqet e tjera që u dëmtuan nga lëkundja e fuqishme sizmike. Në periudhë normale, presidenti Meta do të kishte shpallur tashmë datën e zgjedhjeve të parakohshme lokale në Durrës, por përsa kohë Kreu i Shtetit nuk njeh zgjedhjet e 30 qershorit dhe të zgjedhurit vendorë të dalë prej tyre, nuk dihet se kur qytetarët do të mund të zgjedhin me votë kryebashkiakun/en e tyre.

Qytetarët e Durrësit ndërkohë presin një orë e më parë nisjen e procesit të rindërtimit dhe njëkohësisht shpresojnë që ky proces të karakterizohet nga përgjegjshmëria, korrektësia dhe menaxhimi i mirë i fondeve nga të gjitha hallkat shtetërore që do të angazhohen në zbatimin dhe mbikqyrjen e riparimit të dëmeve në pallate, banesa private dhe godina shtetërore.   

Po kush është nënkryetarja e re e bashkisë Durrës Emirjana Sako?

DurrësLajm po i referohet CV-së të zonjës Sako, të publikuar në faqen zyrtare të bashkisë.

Emiriana Sako është me profesion arkitekte dhe prej rreth 11 vitesh është pjesë e stafit të bashkisë. Në periudhën 2009-2015, ajo ka punuar si specialiste në Drejtorinë e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Nga viti 2015-2018 ka mbajtur postin e Drejtorit të Shërbimeve Publike, ndërsa nga 2018 e deri në shkurt 2020 ka qenë Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve dhe Punëve Publike në bashki.

Sako është diplomuar për arkitekturë në Fakultetin e Inxhinierisë Civile në Tiranë ku ka ndjekur edhe masterin shkencor, ndërkohë që ka ndjekur një master profesional në një universitet në Romë, Itali.

Ajo gjithashtu ka dhënë kontribut në ndërtimin e projekteve të rëndësishme në qytet si Sheshi “Liria”, Sfinksi, Veliera etj, disa prej të cilave të kundërshtuara nga opozita apo opinioni publik.

Përsa i përket gjuhëve të huaja, Sako shkruan në CV-në e saj “Aftesi komunikuese dhe marrëdhënie ndërpersonale shumë të mira, specifikisht në ambiente të shkëmbimit kulturor, aftësi për të folur gjuhë të huaja anglisht, italisht, frëngjisht.”

M.B.