Ish-ndihmësi teknik që punonte në CIA, Edward Snowden, është identifikuar si “fshikulluesi” që gazeta britanike The Guardian ia zbuloi aferën e madhe të spiunimit të qytetarëve në SHBA, të njohur si programi Prism. Snowden është përgjegjës për njërën prej rrjedhjeve më të mëdha dhe më të rëndësishme të të dhënave konfidenciale të qeverisë amerikane në publik, në historinë e SHBA’ve.

Snowden ishte punonjës i Agjencisë për Siguri Kombëtare (NSA). Ai pohon se, vetëm dëshironte të alarmonte opinionin për rrezikun që për ta fshihet në internet.

Në fakt, para disa ditëve në SHBA shpërtheu një skandal i ri i madh, i cili shkaktoi rrëmujë në Administratën e presidentit Obama. Në opinion rrodhi informacioni se, agjencitë amerikane të spiunimit, NSA dhe FBI, për vite të tëra mblodhën të dhëna nga serverët e nëntë kompanive më të mëdha informative amerikane, në mesin e të cilave janë Facebook, Google, Yahoo, Microsoft, Skype dhe Apple.

Sipas raporteve të botuara në The Washington Post dhe në The Guardian, spiunët amerikanë mbikëqyrnin pjesën më të madhe të trafikut në internet. Për shembull, qasja në serverët e rrjetit Facebook nënkupton se, ata mund të kenë përcjellë profilët e shfrytëzuesve të rrjetit më të njohur social në botë, përderisa nga serverët e Google kanë mundur të nxjerrin të gjitha e-mail porositë e shfrytëzuesve të Gmail’it.

Të gjitha këto të dhëna janë mbledhur nëpërmjet programit PRISM, të krijuar në vitin 2007, i cili prej asaj kohe është zhvilluar dhe rritur vazhdimisht. Me kalimin e viteve PRISM u shndërrua në burimin kryesor të inflacioneve të agjencisë më të madhe amerikane të spiunimit (NSA), e cila, mes të tjerash, është përgjegjëse edhe për mbikëqyrjen e komunikimeve elektronike.