42–vjeçari që përdhunoi një minorene shqiptare, të cilën e mori peng në rrugët e Napolit kishte për qëllim trafikonte për prostitucion. Një javë pas ngjarjes së rëndë mësohen detaje të reja për autorin. Besnik Barashima është me origjinë nga Tapiza e Fushë – Krujes dhe banues në Dritas të Tiranës. Besnik Barashima, është baba i 5 fëmijëve.

Ai nuk është emër i panjohur  për drejtësinë shqiptare.

Besnik Barashima, ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit për veprën penale të “trafikut te qenieve njerezore” me 1 vit burg. Por disa muaj më pas Gjykata e Tiranës njohu këtë dënim dhe e konvertoi, mqs ishte shtetas shqiptar me gjobë. Trafikanti i qenieve njerëzore u la i lirë nga gjykata jonë, duke marrë një dënim me gjobë prej 42 mijë lekësh.

Burime të TV Klan kanë mësuar se Barashima ka kaluar në Itali më 22 dhjetor me një traget të linjës Durrës – Bari, pikërisht ditën e rrëmbimit të vajzës 17 – vjeçares shqiptare.

Adoleshentja që kishte shkuar në Itali për të festuar Krishtlindjen, u mbajt peng për 4 ditë në një shtëpi të braktisur.  Ajo i tha Karabinierisë se ishte përdhunuar nga rrëmbyesi i saj, i cili synonte ta shfrytëzonte për prostitucion.

Karabinierët që po hetojnë mbi ngjarjen kanë dyshime se Barashima është vetëm një nga anëtarët e një bande që merret me trafikun e qenieve njerëzore dhe shfrytëzimin e prostitucionit.

Pjesë e rrjetit dyshohet të jetë edhe një vajzë nga Shqipëria dhe dy persona të tjerë nga Fushë Kruja.  Karabinierët e Villarika, pranë Napolit, e zbuluan vendin ku mbahej vajza pasi një person u kërkoi të afërmve të saj pasaportën që ajo kishte lënë në shtëpi. Duke ndjekur personim që mori pasaportën, ata ranë në gjurmë të vendit të braktisur, në Castel Volturno dhe e liruan vajzën më 25 dhjetor.