Publikohen foto të litarëve të improvizuar me çarçafë nga dy të burgosurit që tentuan arratinë nga burgu 313 në kryeqytet.

Këto janë çarçafët e gërshetuar dhe të kthyer në litarë që do të shërbenin për arratisjen e Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit nga burgu 313 në Tiranë.

Arbër Cekaj dhe Fatmir Pjetri kishin sajuar litarin prej ditësh brenda ambjenteve të burgut 313, të cilin e përdorën ditën e diel për t’u arratisur. Një tentativë që dështoi për shkak se njëri nga gardianët i zbuloi dy të burgosurit.

Ende mbetet e paqartë se si ata futën çarçafët deri në 20 metra të gjatë dhe nuk u kontrulluan madje arritën të zbrisnin deri në zyrat e administratës aty ku qëlluan me çengel njërin prej efektivëve.

Dy të burgosurit kishin përshtatur një shufër hekuri si çengel për t’u kapur në tarracë.

Dy të dënuarit shfrytëzuan momentin kur rreth orës 15:00 të së dielës kur gardianët u shpërqendruan nga tentativa për vetëvrasje e një të paraburgosuri tjetër.

Burime thanë se personi që tentoi flijimin ishte Lulzim Çepele i dënuar më parë për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Ai dyshohet se është personi që ishte pjesë e skenarit të arratisjes.

Në këto momente, Çekaj dhe Pjetri janë hedhur nga zona e ajrimit tek ajo ku qëndron administrata dhe që është jashtë perimetrit të sigurisë së lartë, mirëpo u kapën nga gardianët e tjerë.

Gjatë këtij momenti ata kanë dhunuar edhe një prej gardianëve.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve ka nisur hetimet për mënyrën se si dy të dënuarit kanë improvizuar litarin dhe çengelin.

Hetuesit ndërkohë kanë marrë në pyetje stafin teksa Çekaj, Pjetri dhe i paraburgosuri që u përpoq të vetëvritej janë vendosur në izolim. Ndaj tyre është ngritur akuza e përpjekjes për arratisje dhe goditje për shkak të detyrës.