Renato Milloshi, 36 vjeç, u vetëdorëzua sot në Polici, pas akuzës që rëndon ndaj tij si bashkëpunëtor në vrasjen e Elton Çiços, më 2 Maj të vitit 2016, në zonën e Bllokut në Tiranë.

Milloshi së bashku me të kërkuarin tjetër Jani Alia, janë dy personat e akuzuar për vrasjen me armë të vitit të kaluar.

Por ndonëse Alia është në kërkim, Milloshi vendosi të dorëzohet sot në Polici. Por kush është Renato Milloshi dhe cilat janë lidhjet e tij me krimin.

Renato Milloshi është djali i Hysni Milloshit, kryetarit të ndjerë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, të pas viteve ‘90. Ai nuk është një emër i ri për Policinë e Shtetit pasi më 30 Mars të vitit 2015, ai është dënuar nga Gjykata e Tiranës, për mbajtje pa leje të armëve sportive.

Gjatë gjykimit u provua se Milloshi dhe e dashura e tij Sesilia Egra, kanë keqtrajtuar dhe më pas kanosur me armë, shtetasin Mareglen Abedini, i cili ka qenë ish-i dashuri i të pandehurës Sesilia Egra.

Kjo e fundit për këtë krim është dënuar me 4 muaj burgim.

Ndërkohë, 36-vjeçari rezulton se është arrestuar dhe në vitin 2012 për plagosjen e dy personave me thikë në një lokal bastesh në Tiranë.

Milloshi plagosi pronarin e lokalit, Aleto Rama dhe klientin Albi Saliasi. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:30 pas mesnate, në një lokal që funksionon edhe si bar-kafe, edhe si loto-sport, në rrugën “Sulejman Delvina”.

Këta dy persona u qëlluan në krah dhe kokë me thikë nga Milloshi pas një sherri pasi refuzoi të dilte nga lokali edhe pa orarit të mbylljes.

Kurse në vitin 2010, ai rezulton se është dënuar me 6 muaj burg për vjedhje të pasurisë.