Nga Andi Bushati

Përballja e radhës mes dy kryeministrave të dy shteteve shqiptare, ka ngritur sërish të njëjtën pyetje në publik: kush gënjen, Edi apo Ramushi?

Haradinaj e cilësoi me këmbëngulje, të enjten në mbrëmje në Open, homologn e tij në Tiranë, si një nga projektuesit e coptimit të Kosovës. Ai tha se ka dëshmitarë të huaj dhe shqiptarë, të cilëve Rama u ka folur për këtë gjë. Ai deklaroi se është gjendur edhe vetë në tryeza ku Rama e ka shtruar këtë temë. 

Por, përkundrejt pohimeve se ai ka qenë një fanatik i shkëmbimit të territoreve, kryeministri shqiptar i cilësoi ato si “bërllog politik”. Me stilin e tij, ai shtoi batutën: “Unë kam dashur ta ndaj Kosovën, po aq sa ç’ka dashur Ramushi ta ndajë Princ Harryn nga Familja Mbretërore”.

Megjithëse këto qëndrime diametralisht kontradiktore nuk kanë më vlerë politike, pasi tani të gjitha palët e pranojnë varrosjen e idesë së çmendur të shkëmbimit të territoreve, zbulimi i së vërtetës i shërben më shumë historisë, për të kuptuar se kush ka qenë në anën e drejtë apo në atë të gabuar të saj.

E këtu, ndonëse nuk kemi ndonjë foto, ku Rama të jetë duke vizatuar harta, apo Ramushi duke i grisur ato, ndonëse nuk kemi dokumenta për të parë se ç’plane kanë hartuar treshja Vuçiç- Rama- Thaçi, apo me kë komplotoi Haradinaj për t’i penguar, ne mund të nisemi nga qëndrimet që kanë mbajtur palët gjatë këtij debati mbi dy vjeçar. 

Në këtë pikë shancet më të mëdha janë që si gënjeshtar të etiketohet kryeministri ynë. Sepse në mënyrë indirekte, por këmbëngulëse, ai është rreshtuar hapur pro shkëmbimit të territoreve.

Fillimisht, në kulmin e debatit për këtë temë, Hashim Thaçi,  e artikuloi atë i pari në gusht të 2018, Rama i doli atij në mbrojtje me shprehjen tashmë të njohur: “Kush i thotë Thaçit tradhëtar, është vetë gomar”.

Anësia e tij nuk përfundon këtu.

Për t’i shkuar deri në fund kësaj aventure marroke, Edi Rama riskoi të prishej edhe me kancelaren Merkel. Shumë më parë se shefja e qeverisë gjermane të dilte publikisht, krahas kryeministrit të Bosnjes, Zvizdiç (gusht 2018), ajo e pati thirrur në Berlin, Edi Ramën, për t’i marë premtimin se ai nuk do ta mbështeste këtë çmenduri. Rama ia dha premtimin në kancelari, sy më sy. Por më pas, atëhere kur llogariti se plani i ndarjes kishte mbështetje amerikane, ai u tregua i gatshëm ta tradhëtonte: “Merkel është kancelarja që mbron interesat e vendit të saj, kurse unë ato të vendit tim”, tha ai në mediat shqiptare.

I bindur se mundësi të tilla të arta “vijnë vetëm njëherë”, ai e shkarkoi në janar ministrin e Jashtëm, Bushati, madje duke pranuar në Opinion, se kishte divergjenca me atë që kishte dalë publikisht kundër hapjes së Kutisë së Pandorës duke mbështetur opsionin gjerman.

Dëshmi se Rama ka qenë pro zgjidhjes të shkëmbimit të territoreve janë edhe shumë interlokutorë të huaj që kanë folur direkt me të.

Që në gusht të 2018, në një shkrim për Washington Post,  Carl Bild, pas një bisede të përbashkët, pohoi se kryeministri shqiptar është i hapur ndaj kësaj ideje. Të njëjtën gjë konfirmoi shumë më vonë edhe ish ministri gjerman, Christian Schëarz- Schilling, të cilit ktyeministri shqiptar i ka pranuar, sy më sy, se e shihte këtë mundësi si një hap për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.   

Që Rama ka qenë i përfshirë në këtë projekt të nisur në Beograd e konfirmon edhe fakti se ai nuk e goditi asnjë herë atë publikisht. Këtë gjë do ta bënte vetëm pasi kjo çmenduri u zmbraps dhe vetëm pasi presidenti serb Vuçiç shpalli, në gusht 2019, se idetë e tij kishin dështuar dhe se plani i ndryshimit të kufijve kishte vdekur.

Vetëm pas kësaj, kryeministri mori lirinë të deklarohej prerë dhe pa ekuivoke në Real Story se “Unë jam kundër shkëmbimit të territorit dhe kundër përcaktimit të kufijve etnikë” .

Ky pra është historiku i këtij kalvari, i cili na lejon që, edhe pa qenë prezent në bisedat sekrete, edhe pa pasur fotot e hartave apo filmimet e tyre, t’i japim tani të drejtë, Ramush Haradinajt. Kryeministri i Kosovës që pati guximin ta denoncojë publikisht këtë aferë, që pas darkës në shtëpinë e Hashim Thaçit, në shkurt të 2019, pikërisht në kohën kur ajo dukej sikur kishte edhe mbështetjen e Uashingtonit, na ka thënë gjithmonë të vërtetën. 

Dhe ne nuk kemi nevojë për një proces gjyqësor për të kuptuar se Edi Rama na ka gënjyer edhe dje edhe sot. /Lapsi.al