Besojmë shumë prej jush kanë dëgjuar për një nga zënkat më të bujshme në rrjetet sociale mes Noizy-t dhe Encës. Ndërkohë që dy këngëtarët zihen mes tyre se kush ia dha famën tjetrit, ne të Blitz.al po ndalemi disa çaste të kujtojmë se si u prezantuan ata fillimisht te publiku, kush dhe çfarë i bëri të gëzojnë famën që kanë sot. Kemi zgjedhur disa nga personazhet shqiptare që kanë vazhduar suksesin, por që fillimisht u shfaqën me të tjerë që ishin më të famshëm se ata.

Noizy në fillimet e karrierës së tij kishte sjellë disa këngë, madje kishte konkurruar edhe në “Top Fest”, por bumi më i madh dhe momenti kur të gjithë filluan ta përmendnin emrin e tij dhe vargjet që ai këndonte ka qenë bashkëpunimi i tij me këngëtaren Rozana Radi. “Rozi-Noizy kryevepër” është një nga frazat që përdorej më së shumti pas lançimit të klipit “Mr. Yesterday” e duhet thënë se pas popullaritetit që pati kjo këngë, kurba e suksesit të Noizy-t filloi të rritej dukshëm.

Sot Young Zerka është një nga këngëtarët me stilin më të veçantë të të kënduarit, por projekti i parë që i dha famën ka qenë bashkëpunimi me Kastro Zizon. “Pa lule” ishte kënga në të cilën pamë dhe dëgjuam për herë të parë stilin xhamajkan të kaçurrelsit Zerka.  Që prej asaj kohe, këngëtari ka sjellë për publikun disa hite dhe bashkëpunime me këngëtarët më “in” të momentit.

Dren Abazi kishte lançuar disa këngë në bashkëpunim me Zig Zag Orkestra, por ai që e bëri më të famshëm është bashkëpunimi me Anjeza Shahinin në “Top Fest 8”. “Ti dhe unë” ka qenë një nga këngët më të dëgjuara të edicionit të 8-të të festivalit të muzikës moderne shqiptare, një hit që me siguri disa prej jush e dëgjojnë edhe sot.

Enca Haxhia sot është një nga këngëtaret më të pëlqyera dhe fama e saj i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Ndërkohë që të gjithë e njohin nga kënga “A po t’pëlqen”, na duhet të themi se dalja e parë në publik si këngëtare ka qenë me një bashkëpunim me reperin Big Basta.  Dy këngëtarët u prezantuan në “Kënga Magjike” me këngën “All that” e duhet të themi se ky ishte një fillim i mirë për Encën si këngëtare.

Sot Nora Istrefi është një nga këngëtaret më të suksesshme në Shqipëri dhe këngët e saj padyshim kthehen në hite. Megjithatë, nëse kthehemi pas në kohë ndoshta disa prej jush e mbajnë mend se dalja e saj për herë të parë publikisht si këngëtare ka qenë në festivalin “Mikrofoni i artë” me grupin “Aurora”. Ky grup ka qenë në kulmin e suksesit në atë kohë, edhe pse fama e tyre mbeti në kohë që pas lançimit të “Lele kaçurrele”. Duket se peshorja ka anuar në anën tjetër, pasi nëse sot nuk mund të themi gjë për “Aurorën”, për Nora Istrefin dimë gjithçka.

Ermal Mamaqi sot është një nga figurat më të njohura në Shqipëri. Atë e kemi parë si aktor, si moderator dhe si këngëtar në gjithë vitet e tij të karrierës në televizion. Megjithatë, hera e parë që ne jemi prezantuar me Ermalin si këngëtar ka qenë me grupin “The Dreams”, me të cilin ai ka qenë i angazhuar për disa vite. Ermali gjithnjë është cilësuar si një figurë që di ta shfrytëzojë mirë momentin e po kështu ka bërë edhe më parë me grupin, i cili padyshim ka qenë fillimi më i mirë për Ermalin pasi “The Dreams” ka qenë një nga grupet më të suksesshme në muzikën shqiptare. Pas largimit të Flori Mumajesit, solist i grupit u bë Ermali.

Seldi Qalliu fillimisht këndoi te “Kënga Magjike”, por nuk mori vëmendjen e duhur. Më pas u prezantua për publikun si banor i shtëpisë së “Big Brother”, por famën si këngëtar e mori pas disa bashkëpunimeve me Sinan Hoxhën. Dy këngëtarët publikuan disa këngë, edhe pse në fund zgjodhën të ndiqnin drejtime të ndryshme në muzikë./Blitz.al/