Nga Armand Shkullaku

Për ata që nuk e kanë njohur periudhën e regjimit komunist në Shqipëri, takimi i fundit partiak i kryeministrit Edi Rama në Shkodër, është një shembull i mirë studimi për të kuptuar mekanizmin e ngritjes së kultit të individit dhe adhurimit të tij nga turma, pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhet kjo turmë.

Në pallatin e sportit të Shkodrës gjithçka ishte kuruar me kujdes për të pritur udhëheqësin. Skenografia, ndriçimi, njerëzit që do të merrnin pjesë, brohoritjet dhe duartrokitjet sa herë demaskohej armiku i brendshëm dhe i jashtëm. Dhe madje, njëlloj si para 45 viteve, salla kaloi nga brohoritjet në ulërima mbështetjeje kur Edi Rama tha fjalinë: “Unë e di shumë mirë që nuk na duan, por se s’na duan na e marrin edhe të keqen”. Ashtu de, pati thënë dikur Enver Hoxha, kur shpartallonte agjentët e imperializmit në parti.

Kur nuk ke asgjë për t’u ofruar qytetarëve të tu, kur ekonomia është në rënie të lirë dhe qyteti jeton ditë të vështira, kur je në Shkodër dhe flet për Malësinë e Madhe, atëherë turma duhet manipuluar dhe eksituar me goditjet ndaj kundërshtarit, ndaj atyre që nuk i duan të mirën Shqipërisë, ndaj atyre që duhet të na marrin të keqen. Ndaj PD, që në analogji me kohën e Hoxhës është imperializmi amerikan dhe revizionizmi sovietik si dhe ndaj Blushit, Hafizit, etj që janë agjentët e imperializmit dhe revizionizmit brenda partisë. Dhe salla harron gjendjen në të cilën gjendet dhe çohet në këmbë e bërtet emrin e liderit, që “të këqinjtë” i duan të keqen. Dhe duke i dashur të keqen liderit, i duan të keqen edhe Shqipërisë.

Salla brohoriti edhe kur kryeministri foli për të mirat që qeveria dhe partia i ka sjellë Shkodrës. Paçka se Shkodra renditet e fundit në investimet dhe financimet në krahasim me rrethet e tjera. Disa herë më pak në krahasim me qytete disa herë më të vogla se Shkodra. Të jesh i diskriminuar dhe të brohorasësh për këtë si një fitore, ky ka qenë kulmi i manipulimit që komunizmi arriti gjatë sundimit të tij.

Sigurisht që në atë sallë në Shkodër mund të ketë patur edhe individë që nuk i kanë besuar propagandës boshe dhe trushpëlarjes së kryeministrit. Por nuk kanë folur, madje janë detyruar edhe të duartrokasin që të mos bien në sy tek të tjerët. Frika e një vendi pune, zgjidhja e një halli apo shpresa për të patur vëmendjen e udhëheqësit, i ka bërë dhe ata pjesë të turmës. Dhe kështu, patologjia e entuziastëve, që herë nga idiotësia e herë nga interesi fillojnë të adhurojnë liderin, rishfaqet përsëri si për të na kujtuar se nga sëmundja e vjetër jemi ende larg për t’u shëruar.

Brohoritjet bëjnë të harrohet gjendja ekonomike në Shkodër, korrupsioni i zyrtarëve të lartë të emëruar nga listat partiake PS- LSI, vjedhja e votës dhe njerëzit që zgjodhi Edi Rama për të përfaqësuar veriun në Parlament. Me anë të duartrokitjeve, ngjyrave, spektaklit të paramenduar dhe demaskimit të armikut, kryeministri Rama nga salla e Shkodrës, Elbasanit, Vlorës apo Korçës kërkon t’u ngulë në kokë shqiptarëve Shqipërinë e tij, atë të ekranit dhe jo atë të tabanit. Shqipërinë që ka fatin të ketë udhëheqës, atë, Edi Ramën, dhe jo ata që i duan të keqen atij dhe Shqipërisë. Fati i Shqipërisë është Edi Rama dhe kjo duhet të mjaftojë, kjo i zgjidh të gjitha, të tjerat nuk kanë rëndësi. Ekonomia, papunësia, shëndetësia, krimi, arsimi janë balta që hedhin armiqtë. Qentë le të lehin, karvani shkon përpara. Një tjetër proverb, që Enver Hoxha e kishte shumë për zemër.

Shqiptarëve iu deshën 50 vjet për të konstatuar që jo vetëm qentë nuk kishin lehur kundër tyre, por edhe që karvani nuk kishte shkuar përpara por 100 vjet mbrapa. Konstatuar dhe jo kuptuar, pasi kur sheh salla si ajo e Shkodrës apo e Elbasanit, trushplarja kolektive e shfaqur si adhurim për liderin dhe histeri për kundërshtarin, të trondit përsëri. Aq sa i rikthehesh dilemës a ishte komunizmi ynë më i egri në Lindje apo ishim ne populli më i përulur dhe më injorant i Europës.

Çfarë shpjegimi mund të ketë për shembull shfaqja e aktorit Bruno Shllaku duke marrë teserën e partisë nga dora e udhëheqësit. Pinjoll i një familje të njohur, por të persektuar nga komunizmi, Bruno tha se ishte i nderuar që udhëheqësi po i jepte teserën. Jam i privilegjuar, tha ai, që aderimin në këtë parti e filloj duke qenë kryetar ju, që do të vazhdoni të jeni po kryetar. Pra, le të flasin “armiqtë” se juve iu marrin të keqen, do t’iu kemi kryetar duan apo s’duan ata. Po si ka mundësi që një njeri që i njeh vuajtjet e regjimit totalitar, të jetë përsëri për kultin e individit, për udhëheqësin e përjetshëm, që nuk ka nevojë për garë e rregulla demokratike? Pse i duhet një aktori të njohur në moshën e Brunos të rreshtohet në një parti politike, cilado qoftë ajo? Sepse pa dyshim që edhe ai, ashtu si ata në sallë, janë viktima të mekanizmit- kurth të trushplarjes nëpërmjet adhurimit të liderit dhe shpartallimit të armikut. Që nuk i lejon të shohin atë që ndodh çdo ditë në qytetet e tyre, në shtëpitë e tyre, por të jetojnë të kapur brenda pasionit dhe emocionit që ua provokon udhëheqësi sa herë del në tv apo gjendet mes tyre. Dhe të vazhdojnë të votojnë të nxitur nga urrejtja apo adhurimi dhe jo nga arsyeja. Pikërisht ajo që u duhet politikanëve që duan të qeverisin vetëm interesat e tyre.

Marrë nga Lapsi.al