Nga Artur Zheji

10 tetor 2015 – Krejt makina e policisë dhe sigurisë kombëtare u përqendrua më 8 tetor, në Elbasan, në, poshtë, përreth, nën dhe mbi stadiumin ku do të vraponin 22 topshkelmues (ose futbollistë), mbas një topi (ball) të vetëm e të rrumbullakët plastmasi.

Shqipëria u rrëfye kombëtarisht e frikësuar nga ndonjë incident nacionalist, “spontan apo agjenturor”, që do të mund të godiste më pas “imazhin” shtetbërës, që na ka mbetur. Dhe në fund të fundit, mirë u bë, nuk mund të jetë kush kundra, ndonëse ngjante shumë me një makth naiv, që kanë shtetet si i yni, që mbeten përjetësisht në moshën e adoleshencës për kah shtetbërja.

Kapëm “ballistin e keq” me shokët e tij, kapëm ballkonet e Elbasanit, hoqëm flamujt e Kosovës nga stadiumi, vërvitëm mbi qiellin tonë “kuqezi” helikopterët e rinj dhe të vjetër dhe shpallëm de facto një shtetrrethim të pazakontë.

Bllokuam dhe blinduam rëndë, si të na kish begenisur Presidenti i Amerikës, “Sheraton”-in, sepse atje flinin djemtë beogradas; komplimentuam çupat serbe, i rekomanduam indirekt Vuçiçit mosardhjen, por e qetësuam në telefon sa e sa herë që do të garantojmë siguri të plotë për djemtë serbë dhe çupat gazmore beogradase.

Dikush foli madje, edhe përmes lotëve të humbjes, që u rrodhi faqeve çunave dhe vajzave tona, se, në të vërtetë, Shqipëria Fitoi. Madje fare thellë, pasi që nuk pipëtiu asnjë dhe askush, jashtë pentagramit të urdhrave dhe rregullave të paravendosura “per forza maggiore”( për arsye madhore).

Duke reduktuar edhe në stadium, nuk dihet pse, simbolet e ëndrrave tona kombëtare, që mund të mos jenë simbolet e Qeverisë, apo të qeverive shqiptare, por me Kushtetutë janë dhe do të jenë ëndrrat e shqiptarëve, për një Drejtësi Historike, për Tokën dhe Bashkimin. Për t’u dukur në vitrinën e Dynjasë, fare Ndryshe, ndryshe nga ç’jemi pra, e për t’u dukur si duhet të jemi, në sytë e cave, që kanë paracaktuar ose duhet të paracaktojnë edhe se si, ne të Katundit shqipfolës, duhet të ëndërrojmë, në këtë pëllëmbë tokë që na ka mbetur.

Ky Zell Naiv të bën edhe për të qeshur, edhe për të qarë. A thua se ajo që ndodhi në Serbi, më saktë në Beograd një vit më parë, ishte një aksident.

Aspak nuk ishte dhe këtë e dinë edhe shumë qerratallarë në Bruks, por ndoshta jo, qerratallarët e Tiranës. Çdo njohës mesatar, e di se si funksionon Serbia kur ia do puna, dhe do të mund ta dëshmonte dhe ta vërtetonte, mjafton t’i kërkohej një ekspertizë minimale.

Po kush ka kohë për të tilla stërhollime në këtë vendin tonë trashaman?

Për këtë, mjafton të kujtosh akuzat e nxehta të kryeministrit serb për Olsi Ramën si dronist, “diversant i infiltruar në Beograd” nga i vëllai, kryeministër në Tiranë. Një absurd i parrëfyer dhe krejt jashtë realitetit. Që një burrë inteligjent si Vuçiç, e integroi në realitetin imagjinar, që në Bruks, kanë ca qerratallarë të tjerë, për ballkanasit. Duke vënë në siklet dhe duke kompleksuar kryeministrin po aq të gjatë shqiptar, që ai të shpenzonte, donte s’donte, sa më shumë energji shfajësuese, për një faj që nuk e kish bërë, e të rrëfente, e të na rrëfente, se sa dialogues i mirë internacional qenkësh edhe Vuçiç.

Sepse, “Ajo” që ndodhi në Beograd me ndeshjen dhe rrahjen e Çunave tanë në stadium, ishte pra një strategji, që Vuçiç të trokasë në mënyrë sa më të suksesshme në dyert e Evropit dhe në Bruks, me torbën hapur për kapitale dhe investime, që të qetësojë pra, ortekun nacionalist serb, që plus të tjerave, ka rënë edhe në depresionin ekonomik dhe në psikozën e braktisjes oksidentale.

Duke na pëlqyer së tepërmi vetja, harrojmë ose nuk dimë, se Serbia dhe serbët janë të zotë të ngrenë dhe të mbajnë një makineri ushtarake dhe policore perfekte, dhe këtë e kanë rrëfyer edhe në dëmin tonë, në së paku këto 100 vitet e fundit.

Më 1914-n, vunë në lojë Perandorinë 300-vjeçare Austro-Hungareze dhe ndezën shkrepësen e një Lufte Botërore, që prodhoi më pas Mbretërinë më të madhe Serbe të shekullit XX.

Dhe na shfarosën për 80 vitet e mëpastajme si ustallarë. “Betejë” që e fituam, aq sa e fituam, me lindshmërinë tonë të lartë, më shumë sesa me luftë. Dhe po këta serbë i rezistuan NATO-s, përçanë disa nga vendet anëtare të saj, vunë Moskën dhe Rusinë moderne në punë për ta, depërtuan në Kukës, urdhëruan dhe ekzekutuan vrasje të rëndësishme në Tiranë, me një makineri ushtarake mjeshtërore dhe me shërbime sekrete të dorës së parë.

Sigurisht, ngecën në Washington. Sepse USA e kish marrë me kohë vendimin e saj dhe sepse ndoshta në Kremlin, nuk kish hipur ende Vladimir Putin. E pra, të zotë për të lëvizur dhe për të manovruar, në sfera shumë të larta gjeopolitike.

Ç’të mburremi pra, se ndaluam edhe harabelat të fluturojnë në stadiumin tonë mediokër të Elbasanit? Ndërsa “Shqiponjat” e pakta të Çunave entuziastë i futëm si kanarinat në kafaz?

Dy golat e njëpasnjëshëm që hëngrëm edhe në topshkelmin (Football), ishin si ajo që në Bruks tallen e thonë: si qershia mbi tortë.

De Biasi ia vuri fajin mungesës së trurit dhe të mosbindjes taktike të skuadrës sonë kombëtare. Jam i bindur se ka plotësisht të drejtë. Në këtë garë kombëtare të protagonizmit të politikës dhe jo vetëm, edhe topshkelmuesit e kombëtares njihen topçinj dhe kështjella-pushtues. Më shumë se sa sportistë dhe thjesht mjeshtra, nëse janë vërtet, të topshkelmimit. Dhe kaq.

As heronj dhe as Çlirimtarë!

Dhe serbët fitojnë përsëri. Kësaj radhe falë modestisë dhe “frikës” së mençur, falë studimit inteligjent të kundërshtarit, falë delirit të skuadrës sonë për të bërë gol në minutën e 90-të.

Të pafajshëm edhe ata, si pjesë e delirit tonë kombëtar.

Sidoqoftë, mosaksidentimet e Elbasanit ishin një fitore e vockël, por deliri i përbashkët që na përshkon nga lart poshtë dhe nga poshtë lart, është një Humbje e Madhe.

Sepse lotët e çunave tifozë, që vërshonin dje depresivë nëpër qytete, sepse edhe të papunë janë, shumica e çunave dhe çupave të mallëngjyera, të zhgënjyer dhe të tronditur për këtë humbje të turpshme, a ka fjalim gjëmëmadh që mund t’i fshijë?

Bah!…

"Mapo"

/portali DurresLajm/