Pakujdesia e inspektoreve te AKU ne kontrollin e produkteve ushqimore që importohen në vend, shpesh herë i faturohet bizneseve dhe jo vetëm.
Në 30 shtator 2024 subjekti “Bajraktari Food” ka importuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 26,352 kg mish pule. Gjatë kontrollit fizik nga inspektori i AKU në PIK Durrës është marre një mostër për tu analizuar.
Ashtu sikurse vërtetohet nga dokumenti veterinar i importit inspektori i AKU nuk ka marrë vendim për bllokimin e produktit deri në dalje të rezultatit të analizave. Për më tepër në pikën 31 të po këtij dokumenti shihet qarte se është vendosur pranimi i produktit në treg të brendshëm për konsum.
Për sa kohë që nuk kishte një vendim bllokimi , subjekti ka vijuar punën duke e përpunuar e më pas duke e shpërndarë në treg mishin e pulës. Dy javë më pas është njoftuar nga AKU se ka dale rezultati i analizave dhe duhej bërë tërheqja nga tregu e produktit.
Kur AKU nuk jep një vendim bllokimi për produktin deri në daljen e rezultateve të analizave , mbi kë rëndon përgjegjësia, mbi subjektin apo institucionin?
Një shqetësim tjetër i bizneseve është mënyra se si inspektorët e AKU marrin mostrat për analizim. Më herët TV Ora News ka publikuar pamje nga Pika e Inspektimit Kufitar ne portin e Durrësit.
Subjektet importuese kujdesen që ta ruajë në kushte frigoriferike mishin gjatë gjithë transportit, ndërkohë kur vjen në vendin tonë arkat me mish pule të ngrirë, jashtë çdo lloj kushti nxirren nga ngrirja dhe hidhen në tokë në temperaturat përvëluese të verës.
Madje, me disa arka mishi Inspektori i AKU-t ka krijuar shkallë për t’u ngjitur më lehtësisht në kontejnerin ftohës.
Burime për televizionin “Ora News” bëjnë me dije se në këto kushte skandaloze merren edhe mostrat për analizimin e mishit.





