Qytetet si Durrësi, me rëndësi historike për kombin, padyshim që në epoka të rëndësishme kanë ngjarje që kanë ndryshuar rrjedhat e historisë.

Kanë simbole, data dhe emra, të cilat për t’i bërë vetes nder i ruajnë të shenjta, sepse pikërisht përmes tyre, provojnë historinë, mbijetesën dhe evoluimin.

Prandaj në Durrës vitet e fundit po përjetësohen në vepra arti figurat e shquara, që kanë dhënë kontribut të çmuar për qytetin gjatë gjithë historisë së tij.

I tillë ishte edhe “fati” i patriotit të madh dom Nikollë Kaçorri, busti i të cilit u rivendos mesditën e së dielës në afërsi të kishës katolike Shën Luçia, pasi iu nështrua procesit të restaurimit.

Kush më shumë e kush më pak ia ka dëgjuar emrin dhe, ndoshta, sadopak e di historinë, por çfarë e lidh zëvendëskryeministrin e parë të Shqipërisë me Durrësin?

Përse ishte ai kaq i rëndësishëm, sa sot busti i tij të qëndrojë në qendër të qytetit?

Për këtë “DurrësLajm” ka zhvilluar një intervistë me studiuesin e historisë, Dorian Hatibin, të cilën e gjeni të plotë më poshtë:

Kush ishte dom Nikollë Kaçorri?

Dom Nikollë Kaçorri lindi në Lurë aty nga fillimi i viteve 1860. Përshkak të luftrave të vazhdueshme nuk ka një vit të saktë të lindjes në regjistrat e kohës, por mendohet gjerësisht se ai duhet të ketë lindur mes vitit 1862-1865. Ka edhe nga ata studiues që japin për lindjen e tij vitin 1868. Gjithsesi, sipas traditës kishtare ai ka lindur në vitin 1862. Kjo është edhe data e gdhendur mbi varrin e tij, që ndodhet brenda kishës së Shën Luçias në Durrës.

Sapo mbushi moshën e shkollimit u arsimua mes Shkodrës, Romës dhe Zyrihut në ato që ishin universitetet më të mira të kohës. Kjo e bënte Nikollë Kaçorrin një nga njerëzit më të arsimuar të kohës.

Më pas, jeta e tij do të ndryshonte plotësisht kur në dhjetor të vitit 1893 do të shugurohej prift katolik. Pas shërbimeve në Delbnisht, Milot dhe Gurëz, aty nga tetori i vitit 1894 ai caktohet nga imzot Preng Bardhi në qytetin e Durrёsit si meshtar i famullisë shën Luçia. Dhe ishte këtu që do të shpërthente i gjithë shkëlqimi i personit të tij.

Si e gjeti dom Nikollë Kaçorri Durrësin? Si ishte gjendja e qytetit në vitin 1894?

Qyteti i Durrësit, historikisht mes 10 qyteteve më të mira, më të pushtetshme dhe më të lavdishme të botës mesdhetare deri në vitin 1501, kishte diçka më pak se 4 shekuj që kishte rënë në mjerim të plotë. Këtu nuk kishte teatro, nuk kishte biblioteka, nuk kishte një media, nuk kishte art, nuk kishte asnjë formë kulture, nuk kishte asnjë arkitekturë të spikatur apo të rafinuar, nuk kishte një klasë aristokratike apo një klub intelektualësh që të zhvillonin mendim.

Pra, shkurt, nuk kishte pothuajse asgjë. Durrësi i fundshekullit të XIX mezi mund të quhej qytet.

Shkolla e vetme ishte medreseja nga e cila gjithsesi dolën personazhe të spikatura qytetare, por kjo ishte shumë pak për kohën dhe për më tepër mësimi zhvillohej në turqisht dhe mendimi filozofik, kur kishte një të tillë, kushtëzohej shumë nga botëkuptimi i teologjisë lindore.

Administrata osmane ishte thellësisht e korruptuar dhe nepotike. Korrupsioni kishte kaluar – pak a shumë si sot – nga një situatë normale në një gjendje ideale. Investimet publike ishin shumë të vogla. Ngritja e ngrehinës së Konakut, i vetmi investim madhor i kohës, ishte më shumë një përjashtim se sa rregull.

Politikisht Durrësi nuk kishte asnjë rëndësi të veçantë. Ai kishte diçka më shumë se 5.000 banorë, shumica e të cilëve jetonte në varfëri ekstreme.

Udhëtarët e kohës e paraqesin atë si një qytet me “pamje të zymtë” dhe shihej si njё vend i “kërcënuar vazhdimisht nga malarja”. Përfaqësitë diplomatike madje, mes muajve maj-tetor, nuk banonin fare në Durrës, por shumë syresh në Tiranë dhe në Kavajë. Ky ishte Durrësi që gjeti dom Nikollë Kaçorri.

Po komuniteti katolik i kohës në cilën gjendje ndodhej?

Ishte një komunitet shumë i vogël. Në Durrës, siç thamë më lart, banonin më shumë se 5000 banorë, nga këta rreth 3.000 myslimanë, më shumë se 2.000 ishin ortodoksë dhe vetëm 260 katolikë. Pra rreth 4% e popullësisë, por jo për këtë arsye i parëndësishëm.

Cila ishte rëndësia e komunitetit katolik të kohës në Durrës?

Katolikët, me përjashtime shumë të rralla, ishin të vetmit interlokutor me Italinë, Austro-Hungarinë dhe në përgjithësi me botën perëndimore. Ata flisnin pothuajse të gjithë italisht si gjuhë të dytë. Shumë prej tyre ishin diplomatë, tregtarë dhe klerikë të fuqishëm.

Familjet si ajo Tedeskini, Zanoni, Antoni dhe Kaçulini nuk ishin familje të thjeshta. Për shembull në vitin 1853 në shtëpinë e familjes Tedeskini bujti për disa ditë arkiduka Ferdinand Maximilian Josephi, një nga njerëzit më të rëndësishëm të politikës europine, trashëgimtar i fornit austro-hungarez dhe perandor i Meksikës.

T’i rikthehemi dom Nikollë Kaçorrit. Si shkuan vitet e tij të para në Durrës?

Si thamë më lartë ai erdhi në Durrës aty nga fundi i vitit 1894 dhe mori kohë të njihte Durrësin dhe durrsakët. U prezantua me familjet, hyri në botën e tyre dhe e njohu atë më mirë se kushdo tjetër. Në vitin 1897, ose sidoqoftë rreth këtij viti, ai shfrytëzoi katekizmin (shkollën e mësimeve katolike) për të futur ilegalisht në Durrës mësimin e gjuhës shqipe.

Ka shenja se një gjë e tillë ndodhte edhe më parë, të paktën që nga vitit 1872, por me dom Nikollë Kaçorrin mësimet u bën sistematike dhe të plota. Kuptohet që për arsye sigurie këtë mund ta bënte fillimisht vetëm me familjet katolike, por pak me vonë ai nisi t’i zgjeronte klasat edhe tek familjet myslimane të kohës.

A është e vërtetë, se ai ishte njeriu i austriakëve?

Shiko, për ne sot është shumë e lehtë të japim këto përkufizime. E bëjmë me njerëz të gjallë dhe e kemi edhe më të lehtë ta bëjmë me njerëz të vdekur. Në të tilla raste është mirë të flasin dokumentet dhe ju tregoj një rast emblematik.

Dimri i vitit 1901 ishte nga më të vështirët për Durrësin dhe prapatokën e tij përshkak se kaploi një zi e paparë buke të paktën nga mesi i shekullit të XIX. Duke qenë se austriakët ishin zyrtarisht protektorë të komunitetit katolik në Durrës dhe rrethinat, ipeshkvi Primo Bardhi i kërkon ndihmë formalisht shtetit austriak për të siguruar të paktën miell misri për 11.000 katolikët e Durrësit dhe Mirditës.

Kosto totale ishte ajo e 200 napolonave të floririt. Vjena nuk pranoi dhe dom Nikollë Kaçorri i xhindosur shkruan një letër, e cila e bën shumë të qartë qëndrimin e tij mbi shtetin Austro-Hunagarez të kohës. Kaçorri më pas i kërkon ndihmë Italisë, e cila ndërhyn menjëherë  për të shpëtuar banorët nga uria.

Për më shumë se një dekadë austro-hungarezët e paragjykuan Nikollë Kaçorrin si bashkëpuntor të italianëve vetëm pse ai shpëtoi 11.000 shqiptarë nga zija e bukës. Konsullata e Durrësit madje ndërpreu me të për disa vite çdo komunikim.

Në vjeshtën e vitit 1905, kur autoritetet turke vendosën ta arrestonin dom Nikollë Kaçorrin për shkak të mbështetjes që ky i fundit po i jepte kryengritjes në Kurbin, konsullata austro-hungareze në Durrës, e pyetur nga mytesarifi osman i qytetit, nuk e kundërshtoi atë. Kaçorri u detyrua të arratisej deri në dhjetor të vitit 1906.

Ai pra nuk ka qenë në asnjë formë “njeri i austrohungarezëve”, por me siguri i shfrytëzoi këta të fundit për të arritur mëvetësimin e Shqipërisë.

Cili është kontributi i dom Nikollë Kaçorrit në lëvizjen për pavarësi?

Aty nga pranvera e vitit 1907, Vjena më në fund kuptoi rolin e Kaçorrit dhe bashkë me Romën i kërkuan Stambollit të lejonte priftin të kthehej në Durrës. Zyrtarisht për punë fetare, por realisht qëllimi ishte ai i organizimit të patriotëve durrsakë dhe pasja e një pike kontakti në portin e Durrësit.

Sapo erdhi në Durrës, aty nga pranvera e vitit 1907,  Nikollë Kaçorri formoi klubin “Vëllazënia”. Aty u bashkua i gjithë zelli patriotik i Agostin Sereqit, Hafiz Ali Podgoricës, Mytesëm Këlliçit, Abaz Çelkupës, Hysem Halimit, Andrea Konomit, Pal Xhumarit, Kristaq Ramës, Sotir Veveçkës, Aleks Dukës, Sulejman Kadiut, Hysen Myshketës, etj. Klubi u vendos nën drejtimin e doktor Neki Libohovës, Nikollë Kaçorrit, Stefan Kaçulinit dhe Jahja Ballhysës.

Dom Nikollë Kaçorri ishte i deleguari i Durrësit në Kongresin e Manastirit (1908) dhe në Kongresin e Elbasanit (1909). Në vitin 1909 ai bashkëthemeloi klubin “Bashkimi”, i cili do të luante një rol kyç mes viteve të vështira 19010-1912.

Më 15 maj 1911, ndërkohë që kryengritja gjëmonte në çdo cep të Shqipёrisё, luftëtarët kishin nevojë të ngutshme për armatim dhe municione ose – siç e quante Nikollë Kaçorri në kod- për “shpresë dhe forcë”. Përmes kontakteve të tij me botën perëndimore, veçanërisht Italinë, Kaçorri siguron njё ngarkesë të madhe armatimi, e cila zbarkon në Kallm, pikërisht prapa shpinës së administratës osmane.

Armatimi u dërgua menjёherё në fshatin Shënvlash, ngarkuar mbi 60 kuaj. Nga këtu për në Sukth, Manëz dhe më tej për në Kurbin dhe gjithё Shqipёrinё. Ishte ky armatim që do të mbante të ndezur luftën e shqiptarëve përgjatë gjithë verës së atij viti.

Më 2 nëntor 1912, në njё mbledhje të mbajtur në rezidencën e dom Nikollë Kaçorrit, në famullinë e shën Luçisë nё Durrёs, patriotët Mit’hat Frashёri, Avdi Toptani, Salih Gjuka, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani dhe anëtarët e klubit Bashkimi vendosin që përmes njё letre zyrtare t’i kërkojnë perandorit të Austro-Hungarisë Franc Jozefit I të ndihmojë popullin shqiptar në rrugёn e vetëqeverisjes. Ky dokument do të njihet si Memorandumi i Durrёsit dhe do të ishte i një rëndësie të veçantë në lëvizjet diplomatike të Vjenës.

Dom Nikollë Kaçorri ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit gjatë qëndrimit të tij në Durrës dhe eminenca gri pas çdo lëvizje që partia indipendetiste bënte në Durrësin e nëntorit 1912. Vetëm Ismail Qemali gjatë ditëve të qëndrimit në Durrës kaloi pjesën më të madhe të kohës së tij në kanonikën e dom Nikollë Kaçorrit dhe me të thurën planin e një Shqipërie të pavarur.

Nuk ishte rastësor fakti që dom Nikolla u zgjodh delegat i qytetit për në Vlorë, as fakti që firmosi dokumentin e pavarësisë me siglën “Kaçorri” dhe madje, as që ai u caktua në detyrën e zëvendëskryeministrit të parë të Shqipërisë së Pavarur.

Çfarë ndodhi më pas me dom Nikollë Kaçorrin?

Më 12 shkurt të vitit 1914, dom Nikollë Kaçorri niset, bashkë me 17 përfaqësues të tjerë shqiptarë, nga porti i Durrësit për në kështjellën e Nojvodit, për të “uruar princin (Vidin) dhe per ti shprehur deshirën dhe shpresën që ta shihnin sa me shpejt në Shqipëri.” Ai ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të princit gjerman në Durrës.

Vetëm një javë pas mbërritjes së tij në qytet, më 14 mars 1914, të gjithë meshtarët katolikë të Shqipërisë vijnë në delegacion për t’u takuar me Vidin në Durrës. Në këtë mbledhje ata i bënë me dije atij vështirësitë e jashtëzakonshme të popullsisë, varfërinë e saj dhe nevojën e menjëherëshme për të ndërhyrë në përmirësim të kushteve te jetesës. Dom Nikolla luftoi me çdo mjet politik që kishte në dorë për të përmirësuar kushtet ekonomike, arsimore dhe kulturore të durrsakëve.

Me nisjen e Luftës së Parë Botërore, tërheqjen e mbretit Vid nga Durrësi dhe pushtimin e qytetit nga forcat e Haxhi Qamilit në vjeshtën e vitit 1914 shumë durrsak u detyruan të largon nga qyteti.

Fatkeqësisht dom Nikollë Kaçorri do të sëmuret rëndë aty nga vjeshta e vitit 1916 dhe do të niset për kurime në sanatoriumin e Vjenës ku edhe do të ndërrojë jetë më 29 maj 1917, vetëm 55 vjeç.

Si do ta kujtojë historia dom Nikollë Kaçorrin?

Në këndvështrimin tim ai është padiskutim figura më e rëndësishme politike, teologjike, sociale dhe kulturore e Durrësit mes vitit 1893-1914. Nuk ka asnjë figurë tjetër durrsake më aktive se ai në çështjen e pavarësisë dhe as në ato të menaxhimit të qytetit të asaj kohe.

K.Gj.