Doreza gjithnjë në duar, edhe në vapën e muajit gusht. As celular, e as dokumente me vete. Asgjë që mund ta ndihmonte policinë ta identifikonte.

Ishte kjo arsyeja pse Besnik Tafaj, 27 vjeçari shqiptar që vrau veten aksidentalisht ndërsa po ndiqej nga policia, vepronte përherë në mënyrë mjaft të kujdesshme, kur vinte në jetë grabitjet e tij.

Makina që kishte vjedhur të enjten e me të cilën policia e ndoqi për mëse 100 km mëngjesin e së shtunës ishte një Audi A8.

Gjatë ndjekjes, policia ishte më shumë e interesuar të rikuperonte makinën e vjedhur, pa qenë në dijeni se i riu shtatlartë dhe i mbushur që po e drejtonte atë ishte një person i njohur për forcat e rendit, shkruajnë mediet italiane.

Tafaj ishte arrestuar në 2011 në Monza, ndërsa qëlloi me një pistoletë të vjedhur në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit e kishte ndaluar në bordin e një Audi R8 të vjedhur.

Në supermakinën e vjedhur u gjetën bizhuteri dhe çelësa të tjerë të makinave të luksit. Audi R8 ishte vjedhur në Verona. E pikërisht në këtë qytet mbi Tafajn rëndonte një tjetër urdhër arresti, pasi akuzohej për vjedhjen e një Mini.

Por tashmë 27 vjeçari shqiptar nuk mund të kthehet më në burg, për të vuajtur dënimin për veprat penale të kryera.

Gjatë vrapit për t’i shpëtuar policisë ditën e shtunë ai u rrëzua dhe pistoleta që kishte në dorë u shkrep për t’i marrë jetën në çast.