Atentati i mbrëmshëm në Vlorë, ku mbeti i vrarë Renato Omeri, i njohur edhe si Marjan Xhaferaj, ishte i treti që organizohej ndaj tij.

Burime pranë grupit hetimor bejne te ditur se dy muaj më parë ai shpëtoi në një tentativë për ta eliminuar, në një kazino në Vlorë.

Ngjarja nuk u bë publike në atë kohë.  

Por ngjarja më e bujshme është ajo e ndodhur më 21 dhjetor të vitit 2015 në afërsi të Torres, përballë portit të Durrësit.

Në këtë ngjarje mbetën të vrarë Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj, nip i Renato Omerit.

Burime të rezervuara nga grupi hetimor sqarojnë për Tv Klan se shënjestër e atentatit me dy viktima, ka qenë pikërisht 37 –vjeçari, baba i tre fëmijëve.

Por ai ka mundur t’u shpëtojë breshërive të plumbave të dala nga dy kallashnikovë. Prej kësaj ngjarje 37-vjeçari ruhej, i kishte lëvizjet e kufizuara pranë shtëpise apo lokalit të tij dhe gjatë gjithë kohës lëvizte i armatosur.

Ai mbante një pistoletë në brez edhe mbrëmë kur u qëllua nga një person ende i paidentifikuar. Kjo është arma që policia e gjeti afër trupit të tij, në lokalin që ai kishte në zonën e Lungomares.

Vrasësi qëlloi 6 plumba ndaj tij dhe më pas u largua në mesin e pallateve të zonës, në drejtim të Ujit të Ftohtë.

Policia po heton disa pista në përpjekje për të gjetur autorin dhe motivin e krimit, ndërsa nuk përjashtohet që motivi i krimit nga veprimet e para hetimore dyshohet se ka lidhje me ta kaluarën e viktimës. Ai rezulton një person me precedent kriminal në Europë dhe kryesisht në Itali në fushën e narkotrafikut.

Përdorte disa emra por vetëm dy kishte të regjistruar në gjendjen civile. Renato Omeri ishte emri i tij i vërtetë ndërsa njihej dhe si Marjen Omeri dhe Marjan Xhaferaj, duke mbajtur në këtë rast mbiemrin e bashkëshortes. /TVKlan