8 qershor 2015 – Nga Artan Fuga
Studentëve për fat të keq dhe tragjik të tyre, ja u kanë me hilé:
1. Të gjithë ata pedagogë e drejtuesa të rangjeve të ndryshme universitare që nxisin korrupsionin, kanë qenë dhe janë të korruptuar, një pjesë pijanecë, kumarxhinj, dhe krejt jashtë rrugës të dijes. U harxhojnë kohën dhe jetën pa u mësuar gjë pe gjëje. Të gjithë ata mësues dhe pedagogë që nuk bëjnë asnjë përpjekje të njohin dijet e sotme, që mungojnë në mësim, që e shndërrojnë në llogje përtace leksionin a mësimin, që bllokojnë informacionin, dhe e dini se përse : E urrejnë rininë!
2. Të gjithë ata nëpunësa a politikanë a të zgjedhur që mendojnë se duke bërë sikur, nuk shohin të vërtetën në sy se tekstet dhe profilet e shkollave dhe fakulteteve janë të vjetëruara dhe të dala boje dhe bota ecën në shkencë e ne mbesim ke Lana e ndotur. Ata që lejojnë që titujt dhe gradat shkencore të merren me shkarravina të botuara në copa letrash pa vlerë, pa sjellë asnjë të mirë për vendin, e kënaqen me rroga e luks pa pyetur për rininë fatin e së cilës shkelin me këmbë, apo me rrotat e makinave të tyre.
3. Të gjithë ata që shesin diploma pa vlerë, që rrjepin familjet duke i kripur tarifat, tarifë pas tarife, e ndërtuar vila, mbi injorancën e rinisë hallin e së cilës qajnë me lotë krokodili.
4. Të gjithë ata nëpunës të ultë e të lartë që kërkojnë të quajnë suksese shkarrakavitjen e teksteve pa kulturë duke i quajtur projekt-ligje, sabotuar reformën e vërtetë të shkollës shqiptare e duke rënë preh e bërë vegla të lobive mashtruese financiaro-arsimore.
5. Të gjithë ata statisticienë që duke shtuar vitet e studimit për rininë, i heqin ata nga rradhët e të papunësuarve, dhe kështu korrin fitore statistike fallco. I ngopin të rinjtë me iluzione kurse ata janë thjesht të papunë.
6. Të gjithë ata prindër të shkretë që duke konsideruar se shkolla është detyrimi dhe dhurata e tyre për fëmijët, që t'ua kërkojnë rambursimin në pleqëri, i fusin në rrugë të gabuar, paguajnë qimet e kokës për diploma me vlerë zero.
7. Të gjithë ata politikanë dhe deputetë që mendojnë se duke u dhënë studentëve të drejtë për arsimimin, kur ky po fundoset gjithnjë e më shumë, po e fundosin edhe më keq me projektligje – gjëmë, kërkojnë t'u marrin të rinjve vota për elektorat.
E shihni çfarë përparimi kemi sjellë : Ju nuk jeni të papunë, jeni studentaaa!
Rinia ka mbi shpinë të gjithë ata që duhet t'i kishte mbështetës.
Ja ana tragjike e çështjes.