Konkurset e zhvilluara nga bashkia Durrës për të përzgjedhur drejtorët e rinj, që do të zëvendësojnë ish-drejtuesit që dhanë dorëheqjen kanë prodhuar 3 kandidate fituese.
Kështu, për postin Drejtor pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit fituese e konkursit është Ana Hoxha, e cila është zgjedhur përmes procedurës Ngritje në Detyrë. Hoxha pason në këtë detyrë ish-drejtorin Robert Dervishi.
Ndërkohë, dy kandidatet e tjera fituese janë zgjedhur përmes procedurës së konkurimit Nga Jashtë Shërbimit Civil.
Për postin Drejtor pranë Drejtorisë së Projekteve dhe Infrastrukturës Publike fituese është shpallur Alda Zyferi, e cila për disa muaj ka qenë drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës. Zyferi pason në këtë detyrë ish-drejtorin Lorenc Facja.
Ndërsa për postin Drejtor pranë Drejtorisë së Arsim, Kulturës , Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare fituese Migena Muhaj, e cila njihet për angazhimin e saj pranë organizatave humanitare. Muhaj pason në këtë detyrë ish-drejtorin Ardian Gurra.
Siç njoftoi edhe më herët “DurrësLajm”, kandidatet femra janë treguar mjaft aktive në konkurset e zhvilluara nga bashkia e qytetit bregdetar, ndërsa kandidatët meshkuj thuajse kanë munguar totalisht.
Edhe një tjetër drejtori mund të ketë titullare një femër, pasi në konkursin për Drejtor pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore kandidatja e përzgjedhur ishte Brunilda Gripshi. Konkursi për të është zhvilluar paraditen e kësaj të enjteje në bashki.
M.B.





