- 23 dhjetor 2014 – Ditën e diel Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes organizoi një aktivitet ku sipas vetë ministrit kishtë si qëllim ngritjen “e një ure lidhëse dhe bashkëpunimi me sipërmarrjen private.”
Kjo u realizua në idenë e dhënies së çmimeve për bizneset më të suksesshme të vitit duke mbledhur diçka më pak se 50 biznese pa ndonjë kriter, mjafton të konfirmonin pjesëmarrjen në mbrëmjen e shpërndarjes së çmimeve dhe salla të dukej plot.
Ekspertët më të kualifikuar të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes duhet të jenë lodhur shumë në rolin e jurisë për të arritur në përfundimin se në Shqipëri, për këtë vit, ndër bizneset më të suksesshme janë një kompani që shet mobilie, një restorant, një rrobaqepësi, një shitës pompash uji, e të tjera të ngjashme.
Nëse zhvillimi i ekonomisë, tregtisë dhe sipërmarrjes shqiptare me të vërtetë ka patur këto biznese si më të suksesshmet për këtë vit, atëherë duhet të pranojmë që nga Ministria po na vijnë sinjale të frikshme për ecurinë ekonomike të vendit. Nëse “Bletët e arta” janë kaq të vogla a mund të prodhojnë as shumë “mjaltë” sa i duhet ekonomisë shqiptare të paktën për të mos qenë në krizë?
Një zhgënjim për këto lloj “bletësh të arta” u pa edhe në fytyrat e përfaqësuesve të lartë të Qeverisë të pranishëm në sallë. Ndoshta për t’i dhënë pak më shumë vlerë mjaltit që prodhuan me këtë aktivitet, Ministria kishte vendosur që përveç bizneseve t’i jepte çmime edhe vetë institucioneve qeveritare. Por edhe duke përzier mjaltin e “Bletëve e arta” me atë të Doganave dhe të Policisë së Shtetit përsëri prodhimi final i gjithë aktivitetit ishte pa vlera ushqyese si për Qeverinë ashtu edhe për biznesin dhe për publikun.
“Bleta e artë” e nisur si shumë aktivete të tjera të zhurmshme të Qeverisë tregoni një largim të skajshëm të Ministrisë nga biznesi, nga problematika dhe gjetja e zgjidhjeve efektive. Në vend të kësaj Ministria zgjodhi që të prodhojë aktivitetin e rradhës me rastin e festave të fundvitit, duke tentuar të bëjë edhe ajo pak zhurmë grerëzash në kuadër të komunikimit me tullumbace festive. Ndoshta ajo e prodhoi zhurmën e kërkuar dhe e përdori atë për të zhurmuar kriteret e munguara të vlerësimit të bizneseve.
/lapsi.al/





