Nga Andi Bushati

Në disa nga debatet e mbrëmjes të së hënës që arrita të ndjek më bëri përshtypje një fenomen që riprodhohej si me regji.

Ndërsa përfaqësuesit e opozitës e përsërisnin deri në kompleks, se akuza e tyre për fshehjen e numrit të vdekjeve nga Covid- 19 nuk binte mbi mjekët, por mbi zyrtarët e qeverisë, këta të fundit i hidheshin në fyt me dredhinë standarte, se po njollosin bluzat e bardha.

Pra, skenari ishte ngado i njëjtë. Atyre që u kërkohej llogari përse nuk kishin raportuar përpara publikut, as gjysmën e 1200 personave që, në këto nëntë muaj, kanë humbur jetën nga pandemia, përdorinin si mburojë mjekët dhe fshiheshin pas mantelit të tyre.

Nga ky pozicion vinin pastaj me radhë të gjitha etiketimet për përfitimet politike nga fatkeqësia, për lojën makabre me humbjen e jetëve, për mosbesimin tek profesionistët, për aleancë me armikun e padukshëm, etj.

Natyrisht, fakti se është qeveria ajo që ka vendosur ta lërë mbi profesionistët e shëndetësisë barrën e manipulimit propogandistik të shifrave, nuk i bën ata të paprekshëm. Në këtë debat togfjalëshat “heronjtë tanë”, “luftëtarët e frontit të parë të betejës”, nuk prezumojnë automatikisht, se ata janë kriteri i së vërtetës.

Në Shqipëri shprehja me guxim e mendimit të pavarur të profesionistëve mbetet një mision i pamundur. E këtu nuk kanë pse bëjnë përjashtim as mjekët.

Në një mjedis, ku policët fshehin dokumentat e interpolit për të mbrojtur deputetët që votojnë pro kryeministrit, ku inxhinjerët dhe arkitektët nëshkruajnë ekspertiza se teatri do shembej me tërmetin më të parë, ku arsimtarët e Dibrës i nënshtrohen presionit për shitben e  votës tek ai që i ka dhënë vendin e punës, ku prokurorët nuk hetojnë dot trafikantët dhe gjykatësit lirojnë kriminelët e lidhur me pushtetin, bluzat e bardha e kanë të vështirë të sillen ndryshe.

Kush do të bindet e ka tejet flagrant një shembull të disa viteve më parë. A nuk ishin mjekë ata dy ditëzinjtë, që thanë me gojën plot nën presionin e tmershëm të pushtetit, se viktimat e 21 janarit ishin vrarë nga afër, pra nga vetë protestuesit, ndonëse më vonë rrezultoi krejtësisht e kundërta? A nuk e vunë ata politikën mbi profesionin? A nuk gënjyen harbutshe të thyer nga makineria manipulative e qeverisë?

Pra nën trysninë e regjimeve autokratike edhe për ata që kanë bërë betimin e Hipokratit, nuk është e lëhtë të sillen me ndershmëri dhe profesionalitet.

Pikërisht kjo po ndodh edhe sot me trupën e mjekëve. Ata e kanë pothuajse të pamundur, në kushtet e sakrificës sublime, të mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe teknike për të përballur pandeminë, që të kenë dhe ndershmërinë qytetare edhe guximin intelektual dhe fuqinë profesionale për të çmontuar manipulimin e qeverisë.

Ndonëse në kartelat mortore ata e shkruajnë si duhet shkakun e humbjes së jetës, ata nuk kanë forcën të ngrenë zërin, kur një i vdekur në brendësi të spitaleve Covid, nuk llogaritet si viktimë e pandemisë.

Ndonëse janë të informuar me atë që ndodh kudo në botë, ata e pranojnë që në këtë vend të mos ketë një protokoll të qartë zyrtar, se cilat jetë do të quhen si të humbura nga Covid-19.

Ndonëse i kanë lexuar rekomandimet e OBSh, ata qëndrojnë gojëkyçur para llogarive manipulative të qeverisë.

Pikërisht nga ky kolaboracionizëm përfiton rilindja, për të fshehur shifrat që i duhen për të thënë se nën udhëheqjen e Edi Ramës, “ne jemi edhe më mirë se Italia dhe Gjermania në përballimin e pandemisë”.   

Pikërisht se ata pranojnë primatin e pushtetit politik mbi të vërtetën shkencore, ne gjendemi në pikën ku deklarojmë diçka më shumë se 500 vdekje, kur nga spitalet eksluzivisht Covid kanë dalë dyfishi i kufomave.

Dhe ngaqë ndodh kështu, zyrtarët e qeverisë marin guximin, që kur akuzohen se fshehin shifrat e vdekjeve, të futen poshtë përparses së mjekëve. Ashtu siç ndodhi në emisionet e së hënës në mbrëmje, gjatë të cilëve opozita vinte gishtin mbi Ramën, ndërsa mbrojtësit e tij ia kthenin se po përdhoseshin bluzat e bardha.

©Lapsi.al