Ky duhet të ishte një investim i shumë pritur nga komuniteti i banorëve të ish-Kënetës në Durrës, të cilët për 20 vjet me radhë para shtëpive të tyre kanë kanalet e hapur të ujërave të zeza të qytetit.
Por të gjithë pyesin dhe me të drejtë ç’po ndodh që është hapur rruga kryesore në segmentin e unazës në ish-Kënetë?
Prej gati 15 ditësh rruga në njërin sens është rrethuar e është hapur, ndërsa në rrugë janë vendosur tabela e disa tuba me diametër të madh që tregojnë se një investim po bëhet. Po kush e bën e çfarë po bën askush nuk e di me saktësi.
Në flagrancë të mungesës së transparencës me fondet publike, me paratë e taksa paguesve shqiptarë, në mungesë transparence me banorët e zonës së ish-Kënetës të cilët duhet të jenë përfitus të këtij projekti, në mungesë të transparencës me ligjin dhe me autoritet shtetërore, ka nsiur puna për ndërtimin e një kanali të ujrave të zeza.
"DurrësLajm" u interesua pranë kantierit të ndërtimit, por punëtorët pas rrethimit e hapjes disa metra thellë të rrugës në gjatësi e gjerësi, ishin larguar. Edhe banorët e Kënetës pyesin se çfarë po ndodh në lagjen e tyre.
Disa thonë se janë tuba të projektit të gazsjellësit TAP, të tjerë hamendësojnë alternativa të tjera.
Të pyetur zyrtarisht në drejtorinë e Ujësjellësit, burimet pohuan se është një projekt i drejtorisë së Përgjthshme të Ujësjellës Kanalizime Tiranë, për ndërtimin e kanalit të ujrave të zeza në këtë zonë. Nuk dinin më shumë, pasi Drejtoria e Përgjithshme nuk i ka vënë në dijeni për këtë projekt që bëhet në Durrës. Kur të përfundojë e marim ne në dorëzim pohuan burimet.
Me të drejtë lind pyetja:
Po tabela publike me të dhënat e këtij projekti, me fondin, qëllimin e tij, zbatuesit, financuesit, përfituesit, kohëzgjatjen ku është?
Tenderi është zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizime në Tiranë, firma fituese është shpallur atje, kontrata është lidhur atje, dhe fondi është dhënë po nga kjo drejtori.
Pse e çfarë po fsheh firma fituese e tenderit që zhvillon punimet për të mos bërë transaprencë me publikun, me qytetarët?
Me banorët që kanë një jetë që presin sistemimin e disiplinimin e ujrave të zeza, e që duhet të jenë përfitues të drejtpërdrejtë, me shoferët që duan të dinë kur përfundon investimi në rrugë, dhe me të gjithë publikun për të gjitha të dhënat e mësipërme.
Banorët e ish-Kënetës me të drejtë shprehin shqetësimin se përse dëmtohet aksi kryesor i rrugës për futjen e tubacioneve për të cilin janë shpenzuar miliona para të taksapaguesve, ndërkohë që këto punime mund të bëheshin në rrugët dytësore që janë paralel me këtë segment, dhe me gjërësi 8 m.
K.H.





