Dita e sotme do të jetë tepër e ngarkuar për socialistët, të cilët kanë dalë në terren për takime e anëtarë dhe qytetarë për të folur rreth problematikave aktuale.

Ky diskutim, që pritet të shtrihet ne disa sheshe kryesore, do të zgjasë  rreth 3 orë, ndërsa më pas në orën 12, nis faza e dytë e punimeve e cila do të shënojë hapjen punimeve nga Damian Gjiknuri. Një pjesë të rëndësishme në kongres do ta marrë Këshillimi Kombëtar, rezultate e procesit dhe perspektiva e tyre.

Pika kulmore e Kongresit do te jetë fjalimi i Edi Ramës, i cili më herët ka lajmëruar se të gjithë do të bëjnë autokritikë, ndonëse janë në mandatin e tretë. Flitet për ndryshime edhe në Qeveri, por kjo mbetet për tu parë gjatë procesit.

Pas Ramës, do të bëhet prezantimi i paketës së ndryshimeve të  statutit të Partisë.  Sipas draftit, kongresi i 9 prillit do të shkarkojë 61 krerët e degëve në rrethe, dhe do të hapë procesin zgjedhor në parti nga data 1 Maj deri në 15 Qershor.

Sipas ndryshimeve në statut kryetari i ri i degës do të përzgjidhet mes kandidatëve të propozuar nga Asambleja, me miratim të kryesisë. Ai do të ketë mandat 4 vjeçar, që ndërpritet kur jep dorëheqjen, kur shkarkohet nga kryesia për punë të dobët, kur humbet besimin e anëtarëve dhe kur humb zgjedhjet.