Shifrat me të cilat PS-ja fitoi në qarkun e Durrësit flasin për një fitore bindëse të saj ndaj rivalëve PD dhe LSI.

Pas kësaj fitoreje, një meritë e veçantë i shkon personit që drejtoi fushatën e PS-së në këtë qark, kryebashkiakut Vangjush Dako, që për herë të parë në këto 27 vite demokraci arriti të çonte në Kuvend 8 deputetë të PS-së nga qarku i Durrësit.

Shifrat tregojnë se krahasuar me 4 vite më parë, Dako dhe ekipi i kandidatëve mori në qarkun Durrës 13.065 vota shtesë, ose 8.11% më shumë vota se në 2013.

PS mundi në Durrës, Shijak e Krujë bindshëm PD-në, madje edhe në bastionet e saj historike e të njëjtën gjë bëri edhe me LSI, e cila megjithëse mori 11.450 vota më shumë se në 2013, u mund nga PS në disa nga lagjet e Durrësit ku në 2015 kishte marrë shumicë votash.

Kjo fitore e ekipit të Durrësit u nënvizua edhe gjatë fjalës së liderit të PS dhe kryeministrit Edi Rama që 3 ditë më parë tha: “Një duartrokitje të stërmerituar për skuadrën e qarkut të Durrësit, e cila megjithëse na ka mësuar me thyerje të çdo rekordi historik, ketë herë kaloi edhe parashikimet e Vangjush Dakos”.

Dako u shfaq në çdo takim elektoral duke mbajtur peshën kryesore në fjalimet e rastit, i mandatuar nga kryeministri Rama për të drejtuar në terren fushatën e socialistëve. Ndryshe nga qarqet e tjera, në krye të të cilëve ishin drejtues të fushatës ministra apo ish-ministra të Ramës, në Durrës kryeministri i besoi sërish Dakos, që muaj më parë i kishte premtuar 7 deputetë, por që se mbajti premtimin, pasi e tejkaloi atë. 

Ndërkohë vetë kryebashkiakut të Durrësit, që tashmë është në mandatin e tretë në krye të qytetit bregdetar, duket se më shumë sesa fitorja i intereson përgjegjësia e madhe që vjen nga ky rezultat.

Tani nis puna, nis e vështira, përgjegjësia e madhe që na keni dhënë, për të cilën do bëjmë çmos për mos t’ju zhgënjyer e për të bërë të mundur përfundimin e punëve të nisura në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë” shkruante Dako në postimin e tij në Facebook kur falenderoi të gjithë votuesit e PS në Durrës, Shijak dhe Krujë për këtë rezultat historik.

Postimin e tij, Dako e shoqëroi edhe me një video, ku shfaqen pamje të investimeve të realizuara në Durrës gjatë qeverisjes së tij.

M.P.