28 tetor 2015 – “E bëmë për inat të prindërve, sepse nuk na kushtonin vëmendjen e duhur. U larguam që edhe ata ta kuptonin se sa të rëndësishme jemi në familje. Besoj që e kanë kuptuar, se edhe ne jemi pjesë e rëndësishme e familjeve”, këto kanë qenë deklaratat që dhanë në polici dy kushërirat 15 e 16 vjeçe, nga plazhi i Durrësit.
Pasi vajzat u dorëzuan në policinë e Lushnjës, aty ku qëndronin prej 24 orësh nga arratisja e tyre, u bë dorëzimi dhe marrja në pyetje nga oficerët e policisë së Durrësit, dhe nën praninë e psikologes së policisë.
Vajzat adoleshente kanë treguar arsyet, që sipas tyre, kanë të bëjnë më shumë me vëmendjen që ato kërkojnë brenda shtëpisë.
“Ne nuk na llogarisin në shtëpi. Na thonë ‘pusho për këtë’ e ‘qepe gojën për këtë gjë’. E sajuam sikur do të iknim në Angli, por nuk ka asnjë të vërtetë rreth largimit në atë shtet. E bëmë një letër dhe thamë që do ikim në Angli, por këtë e bëmë nga inati i prindërve”, kanë thënë vajzat në prani të psikologes.
Pas marrjes në pyetje, ato janë marrë nga prindërit e tyre të cilët kanë qenë mjaft të shqetësuar gjatë arratisë së tyre 24-orëshe.
Për policinë e Durrësit, largimi i adoleshentëve është bërë fenomen normal pasi ata kërkojnë të jenë në qendër të vëmendjes, jo vetëm në shoqëri, por fillimisht në familje. Sipas ekspertëve, në shumë familje zëri i adoleshentëve nuk dëgjohet dhe të rinjtë bëjnë veprime të çuditshme, deri sa largohen nga shtëpia për t’iu kujtuar prindërve se edhe ata kanë të drejta në familje ashtu si çdo pjesëtar tjetër.
Motrat Kajtazi janë shembulli tipik i adoleshentëve të sotëm, që u arratisën një muaj nga shtëpia pasi vodhën kursimet në familje e i vunë zjarrin shtëpisë, pasi më herët kishin hedhur ilaç gjumi në ushqimin e prindërve dhe të motrës më të madhe.
/K.H. portali DurresLajm/