KORCE, 25 mars 2013- Të afërmit e Ardian Prrenjasit janë të shokuar nga ngjarja e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik.

“News 24” ka qenë sot në fshatin Libonik të Korçës, aty ku Prrenjasi mësohet të ketë kaluar fëmijërinë e tij. 

G.Demiraj, kushëriri i parë i Prrenjasit tregon se ai ka pasur një fëmijëri normale.

Ai nënvizon se krahas lodrave të fëmijërisë, të shoqëruara me çiltërsinë e një fëmije, nuk ka vërejtur kurrë çrregullime tek ai, të paktën deri në moshën 14-vjeçare. 

Sipas Demiraj, Prrenjasi edhe në moshën e adoleshencës ishte një djalë shembullor dhe ndihmonte familjen duke punuar në tregti.

Ai sqaron se gjithçka nisi pas kthimit të tij nga ushtria, kur të gjithë vunë re se Ardian Prrenjasi nuk ishte më ai i mëparshmi. 

Në atë kohë familja e fejoi Prrenjasin me një vajzë në qytet, por që nuk përfundoi në martesë për shkak të akuzave që u ngritën ndaj tij për rrëmbimin e një fëmije që ishte dhe shoku i nipit të tij, që më pas edhe policia dhe prokuroria nuk e hetoi më tej për shkak të mungesës së provave. 

Kushëriri i tij sqaron gjithashtu se Prrenjasi nuk e ka ndryshuar kurrë mbiemrin, por Demiraj është mbiemri i vajzërisë së nënës së tij, e cila ishte vajzë nga Liboniku i Korçës. 

Më tej ai sqaron se halla e tij, por edhe të afërm të tjerë nuk kishin dijeni për Prenjasin për së paku 15 vite me rradhë.

Ai thotë se ajo që ka ndodhur, ka terrorizuar familjarët e tij, të cilët janë në gjendje të rënduar psikologjike.

Sipas Demiraj, nëse akuzat ndaj Prrenjasit janë vërtet të tilla, ai dhe familjarët e tij kërkojnë dënimin maksimal për të.