17 shtator 2015 – Vritet me thikë në një lokal të Tiranës, inspektori i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (ish-INUK), Milazim Shehu. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së mërkurës në një lokal në zonën e Bathores në periferi të kryeqytetit, ndërsa 32-vjeçari Milazim Shehu, ka gjetur vdekjen në spital pas mesnate (rreth orës 01:30).
Shehu, baba i tre fëmijëve, është qëlluar 12 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, ku është prekur dhe zemra. Motivet e masakrimit të inspektorit nuk dihen ende, por policia thotë se nuk ka lidhje me detyrën e tij, por për motive personale, dyshohet për çështje pronësie mes tij dhe agresorit.
Dyshimet e para të policisë bëjnë autor të ngjarjes kushëririn e tij, 32-vjeçarin me iniciale G.Sh., i cili është shpallur në kërkim. Ai ndodhej në shtëpinë e inspektorit dhe pas konfliktit e ka masakruar me thikë.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit.
/S.L. portali DurresLajm/