Në ditën e dytë të Konferencës tre ditore Kombëtare të Antikorrupsionit të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi foli për përdorimin e teknologjisë dhe shërbimeve online për ofrimin më efikas, transparent dhe më të përgjegjshëm të shërbimeve publike.

Gjatë fjalës së saj, Kushi tha se parandalimi është mjeti i parë dhe më efikas për luftën kundër korrupsionit. Sistemi i dixhitalizuar i shërbimeve, krahas shpejtësisë dhe cilësisë në shërbim, bën të mundur shmangien e kontaktit me zyrtarët duke minimizuar mundësinë e abuzimit.

“Arsimi është një nga shembujt shumë pozitivë se si digjitalizimin jep rezultate shumë domethënëse në luftën kundër korrupsionit. Ne kemi 39 shërbime të dixhitalizuara, duke filluar që nga punësimi i mësuesve, regjistrimi i nxënësve, sistemi i të dhënave , etj.”, tha ministrja.

Ministrja Kushi e quajti Portalin “Mësues për Shqipërinë” një rast suksesi, pasi portali përfshin proceset e shpalljes së vendeve të lira, regjistrimin, renditjen e kandidatëve, konkurrimin dhe shpalljen e rezultateve të konkursit, ka garantuar meritokraci e transparencë. Portali ka filluar në vitin 2015 dhe sidomos viti 2021 shënoi një rritje domethënëse 39% të numrit të mësuesve të punësuar përmes këtij sistemi krahasuar me vitin 2020.

Kushi ka përmendur edhe Sistemin e Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP) i cili shërben si regjistër elektronik i të dhënave, të notave, planeve të programeve mësimore, mungesave dhe aktivizimit të nxënësve në klasë, duke rivendosur kështu në një platformë digjitale të komunikimit midis trinomit “mësues-prind-nxënës”.

Më tej ministrja foli edhe për regjistrimin përmes e-Albania për nxënësit e klasave të para në shkollat e qyteteve qendër qarku dhe klasave të dhjeta, i cili vitin e kaluar u bë në qendrat kryesore të qarqeve. Kushi gjithashtu përmendi edhe sistemin e maturës shtetërore, i cili garanton transparencën, meritokracinë që në regjistrimin e nxënësve, në shpalljen e rezultateve. 

Në përfundim, Kushi tha se lufta ndaj fenomenit të korrupsionit është përfshirë në kurrikula për ndërgjegjësimin në moshë të hershme.