Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka njoftuar dje përmes një postimi në rrjetet sociale, firmosjen e një marrëveshje të rëndësishme për punonjësit e arsimit parauniversitar. Kontrata Kolektive e Punës është negociuar me Federatën e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë dhe Sindikatën e Pavarur të Arsimit të Shqipërisë.

Në njoftimin thuhet se çdo mësues që plotëson moshën për pension pleqërie, pavarësisht nëse është fillim apo fund i vitit shkollor, mund të vazhdojë punën deri në përfundim të periudhës mësimore, e cila zgjat mesatarisht 3 muaj.

Postimi i Kushit:

Finalizuam me sukses negociatat për nënshkrimin e Kontratës Kolektive të Punës për punonjësit e arsimit parauniversitar me Federatën e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë dhe Sindikatën e Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, kontratë e cila vjen me disa risi në interes të mësuesve por edhe të nxënësve.

Tashmë çdo mësues që plotëson moshën për pension pleqërie, pavarësisht nëse është fillim apo fund i vitit shkollor, mund të vazhdojë punën deri në përfundim të periudhës mësimore, e cila zgjat mesatarisht 3 muaj.

Kjo risi do t’u sjellë nxënësve fillimin dhe përfundimin e mësimit të një tremujori me të njëjtin mësues, si një faktor pozitiv për zhvillimin psiko-social të nxënësve dhe rezultate më të mira në mësimnxënie.

Mësuesit e cilësuar si “invalidë pune”, jo vetëm ngarkesën mësimore, por dhe kohën e qëndrimit në punë do ta kenë në përputhje me vendimin e KMCAP.

Normë mësimore të reduktuar nga 6-8 orë në javë përfitojnë edhe Kryetarja e Komisionit të Gruas dhe Kryetari i Komisionit të Rinisë në nivel kombëtar.

Gjithashtu, për herë të parë Kontrata Kolektive e Punës mbështetet në standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat e mira të OECD, duke e përafruar këtë kontratë me kontratat e vendeve të BE.