Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi së bashku me ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali zhvilluan një bashkëbisedim me nxënës të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, ku prezantuan nismën e Startup-eve për ide novatore që mund të realizohen përmes financimeve të qeverisë.
Ministrja Kushi u bëri thirrje drejtuesve të shkollave, mësuesve dhe gjimnazistëve që të aplikojnë për të përfituar nga kjo mundësi e artë grante të përcaktuara për Startup-e që shkojnë deri në 1,5 milionë lekë, gjithashtu edhe për shkollat të cilat mund të aplikojnë nën kategorinë “Lehtësues” nga faqja https://sipermarrja.gov.al/dokumentet-e-aplikimit/ për të përfituar deri në 10 milionë lekë për të shndërruar klasat në vende të përbashkëta pune dhe për të siguruar mjete teknologjike.
Kushi nënvizoi se aktualisht shkollat janë të përgatitura për të aplikuar, pasi në to mësohet me lëndë specifike aftësimi i nxënësve për ekonominë dhe sipërmarrjen. Lëndë si qytetaria dhe ekonomia, apo aktivitetet ekstra kurrikulare u japin nxënësve njohuri teorike dhe praktike.
Ministrja kërkoi që drejtuesit e shkollave, nxënësit dhe mësuesit e tyre të punojnë së bashku për të përfituar nga kjo mundësi deri në datën 5 qershor 2022, për të aplikuar dhe për të vënë në jetë idetë e tyre novatore.
Ndërsa Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali informoi nxënësit për mënyrën se si mund të aplikojnë për Startup-et dhe sasinë e grantit që mund të përfitojnë për këto aplikime.