Seanca plenare në Parlament ditën e sotme ka nisur me debate për vendimin e transferimit të Instituti i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Akademinë e Shkencave.

Ministrja Evis Kushi u është përgjigjur akuzave të deputetes së PD Ina Zhupa se vendimi u mor për t’i plotësuar dëshirat Skënder Gjinushit.

“Të tregojmë respekt për studiuesit dhe akademikët, vendimi është i konsultuar, nuk është me të rënë të lapsit. Jemi në kushtet kur janë në paligjshmëri. Thoni se i kemi bërë nder Skënder Gjinushit. Gjinushi është i zgjedhur aty nga këta të Albanologjisë, ai s’do e marrë në shtëpi Akademinë. Pjesa më e madhe e punonjësve janë dakord me vendimin e bashkimit”, tha ministrja.

Sipas Kushit, vendimi i transferimit të Akademisë së studimeve Albanologjike në Akademinë e Shkencave erdhi pas një kontrolli të gjatë, ku u gjetën një sërë paligjshmërisë.

“Institucionalisht kanë dështuar ta sjellin institucionin në rrugë ligjore. Nuk bëhet ligji sipas institucioneve, për këta të fundit bëhen sipas ligjit. Prej 8 vitesh nuk ka të regjistruar asnjë student, ligji thotë që nëse për 2 vite nuk regjistrohen studentë duhet të mbyllet”, shtoi Kushi.

Ministrja Kushi e vazhdoi deklaratën e saj duke thënë se akuzat e opozitës nuk qëndrojnë pasi nuk bazohen në asnjë dokument ligjor.

“Nuk po i hedhim në rrugë po i transferojmë në një institucion tjetër. Nuk po i zhdukim 100  studiues por po i ngremë në një nivel të ri. Akademia e Shkencave është maja, përfshirë dhe Albanologjinë. Është nder për ne t’i kemi të gjithë studiuesit bashkë për të vazhduar projektet e mëdha”, shprehet Kushi. 

Gjithashtu sipas ministres Kushi në Institutin e Akademisë së studimeve Albanologjike u gjetën shkelje ligjore edhe në mënyrën se si është punësuar personeli.

Instituti i Akademisë së studimeve Albanologjike është transferuar në Akademinë e Shkencave, ku do të funksionojnë si autonome. Vendimi u mor në mbledhjen e 31 Majit të Këshillit të Ministrave.