Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë Vilson Dine, iu rikujton qytetarëve shqiptarë se cilat janë kategoritë që lejohen të kalojnë drejt shtetit grek dhe kushtet që këta të fundit duhet të plotësojnë.
Aktualisht lejohen të udhëtojnë drejt shtetit grek, personat me origjinë greke, shqiptarët me leje qëndrimi në Greqi, shtetasit minoritarë me kartë të veçantë dhe trupi diplomatik.
Po ashtu, lejohen edhe shtetasit shqiptarë të pajisur me autorizim të veçantë nga përfaqësitë diplomatike greke, për arsye pune apo shëndetësore.
Sa i takon drejtuesve të kamionëve dhe furgonëve që transportojnë mallra, ata duhet të kenë të plotësuar më parë dhe të ketë të printuar formularin PLF (Passanger Locator Form) në adresën elektronike www.travel.gov.gr si dhe të kenë test PCR me rezultat negativ, në gjuhën angleze me të dhënat personale dhe numrin e dokumentit të udhëtimit.
“Sqarojmë se sipas një vendimi të Qeverisë Greke të muajit dhjetor, të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në Shqipëri dhe kanë leje qëndrimi greke të cilës i ka mbaruar afati, duhet të pajisen me një vërtetim nga Konsullata/Ambasada greke në Shqipëri me qëllim që të lejohet të kalojnë kufirin në palën greke”, deklaron Dine.
Dalja nga Republika e Greqisë dhe hyrja në Republikën e Shqipërisë është e lirë dhe pa kufizime. Por të gjithë shtetasit që duan të udhëtojnë drejt vendit tonë nga pika e kalimit kufitar të Kakavijës duhet të dinë se orari i funksionimit është çdo ditë nga ora 07:00 deri në 22:00. Ndërsa kamionët lejohet të kalojnë në harkun kohor 06:00-20:00.