Shqipëria është përfshirë në këto orët e fundit nga kushte të rënduara atmosferike, me pjesën më të madhe të vendit që është mbuluar nga dëbora. Të vendosur në këto kushte, ditën e sotme, FSHF ka njoftuar se do të shtyhen deri të shtunën më datë 20 shkurt të gjithë nivelet e kampionateve.

Kështu, anulohen edhe ndeshjet e së Parës që ishin parashikuar ditën e sotme, por edhe java e 20 e Kategorisë Superiore e cila ishte parashikuar të luhej ditën e mërkurë.

Më herët, FSHF, kishte vendosur të shtynte Kategorinë e Dytë, por edhe ndeshjet e moshave. Megjithatë, tashmë në të tilla kushte, është vendosur shtyrja e të gjithë niveleve të kampionateve.

Njoftimi nga FSHF:

Moti i keq dhe reshjet e dëborës që kanë përfshirë të gjithë vendin tonë kanë detyruar Federatën Shqiptare të Futbollit që të shtyjë të gjitha ndeshjet e parashikuara për këtë javë. Federata e Futbollit ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e të gjitha klubeve dhe është njohur me situatën e rënduar të terreneve sportive dhe stadiumeve, ku do të zhvilloheshin shumë ndeshje. Duke vlerësuar këtë situatë Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë vendimin që të shtyjë ndeshjet e futbollit në të gjitha nivelet e kampionateve deri të shtunën e ardhshme, datë 20 shkurt 2021. Ndeshjet e parashikuara për t’ua luajtur këtë të diel dhe gjatë javës, do të luhen në një datë të mëvonshme, që do të përcaktohen nga Sektori i Garave në FSHF.