Nga data 1 shkurt hapet aplikimi për studentët që kanë pëfunduar universitetin me rezultate të larta për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.
Në zbatim të urdhrit të Ministrit të Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e 150 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.
Kriteret e përgjithshme për pranimin në Akademinë e Sigurisë e këtyre kandidatëve:
- Të jenë shtetas shqiptarë;
- Të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;
- Të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht, për të kryer detyrën;
- Të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundravajtjeje penale me dashje;
- Të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;
- Të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.
Kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë për t’u pranuar në këtë cikël janë:
- Të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë):
- Të jenë në moshë jo më shumë se 29 vjeç;
- Të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”;
- Të jenë me gjatësi jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe jo më pak se 165 cm për femrat;
- Të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.
Aplikimet duhet të bëhen nëpërmjet portalit të Akademisë së Sigurisë, nga data 1 Shkurt 2019 deri në datë 15 Shkurt 2019, ndërsa dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.
Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit:
- Vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga mesatarja e mesatares së ciklit të parë dhe të dytë të studimeve në të njëjtin profil arsimor, si dhe ata me mesatare të njëjtë sipas institucionit ku aplikanti ka përfunduar shkollimin;
- Vlerësimi i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;
- Intervistimi i aplikantëve;
- Kontrolli shëndetësor;
- Marrjes së shenjave të gishtave;
- Verifikimi përfundimtar i aplikantit.
Kjo hapje e Policisë së Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, bëhet pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik, me gradën “nënkomisar”.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit fton dhe nxit të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit”, njofton Policia e Shtetit.





